“Mos luani me zjarr”, shefi i CIA-s solli mesazhe të qarta në Prishtinë: A do t`i respektojë Qeveria zotimet e dhëna?
Njohësit e çështjeve të sigurisë dhe ata të rrethanave politike kanë bërë me dije se shefi CIA-s, William Berns, gjatë vizitës në Prishtinë ka sjell porosi të qartë për institucionet e Kosovës.
Ata kanë vlerësuar se koha në të cilën është realizuar vizita tregon se mesazhet kanë pasur të bëjnë me përmbajtjen e Qeverisë nga veprimet e njëanshme në veri, të cilat do të mund të tensionojnë situatën.
Sipas tyre, tani mbetet të shihet nëse Kosova do t`i respektojë këto mesazhe dhe zotimet që i ka dhënë në takim me zyrtarin e lart amerikan.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka bërë me dije se zyrtari i lartë amerikan ka sjell mesazhe të qarta për institucionet e Kosovës dhe vendet e rajonit që i ka vizituar.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Ramadani ka deklaruar se nder mesazhet kryesore ka qenë që të hiqet dore nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të prekin stabilitetin e vendit.
“Në kohën kur mund të priten zhvillime të dhimbshme në Ukrainë, Lindje të Mesme, Azinë e largët, apo edhe në Amerikën Latine, liderët e Ballkanit e kanë vetëm një gjë të qartë (pas kësaj vizite!): nuk guxojnë të luajnë me zjarr! Pra, “mos luani me zjarr”, “siguria nuk është popullizëm”, “mbështetuni plotësisht tek SHBA”, “kryeni detyrat e shtëpisë”, “me trupat tona ju mbrojmë ekzistencën” besoj unë janë fjali që kanë përbërë apo nënkuptuar mesazhin kryesor në Kosovë. Bota vërtetë po përballet me përsëritjen e dimensioneve të ngjarjeve dhe lëvizjeve të viteve të 1930-ta, prandaj mesazhet e tilla duhet të kuptohen në thelb”, ka thënë Ramadani.
Edhe ish-inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se mesazhet kanë qenë të qartë.
Sipas tij, nëse Qeveria nuk iu përmbahet atyre mesazhe, do të ketë pasoja.
“Arsyeja kryesore ka qenë më i dhanë disa porosi të qarta me pasoja të mundshme, nëse ato porosi nuk zbatohen. Këtë e pamë menjëherë me ndryshim të retorikes në rajon, e pamë që ndryshoi retorik Dodiku,i pamë deklaratat e Vuçiqit, që ke shumë interesante. Po ashtu, edhe të na, u pushu çështja e urës. Pra, u largu prej retorikes së qeverisë çështja e urës si problem që mund të nxisë tensione në atë pjesë”, ka thënë Sopjani.
Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe disa gjestet simbolike të shefit të CIA-s në Kosovë.
“Kur të flet dikush me dorë në xhep, tregon që dikush nuk është bash-bash komform. Kështu të paktën e lexoj mbi bazën e arsyeve që thash. Ne pamë edhe deklaratat që u lëshuan nga ne, nga Bosnja etj”, është shprehur ai.
Kurse, analisti politik, Ilir Deda, ka thënë se Burns vjen në një kohë kritike kur Perëndimi dëshiron të parandalojë çdo konflikt në Ballkan, të cilin e konsideron si rajon të tij.
Në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë se shpreson që lidershipi i Kosovëst'i përmbahet çdo marrëveshjeje të arritur gjatë diskutimeve.
“Muajt e ardhshëm do të shohim sa ka pas efekt kjo vizitë dhe në atë mënyrë duhet të diskutojmë. Vizita është në sfond të një destabilizimi të madh gjeopolitik, ashpërsimi i luftës në Ukrainë, potencialit për një ndezje shumë të madhe të luftës në lindje të mesme. Perëndimi nuk dëshiron konflikt në Ballkan të cilin e konsideron të vetin. E vetja duhet të jetë Kosova, e cila gjithmonë duhet të koordinohet e konsultohet me ata të cilët e mbrojnë. Uroj që udhëheqsia e Kosovës e ka marrë mesazhin dhe çfarëdo që janë marrë vesh t’i mbetet besnike asaj marrëveshje.”, ka thënë Deda.
Çka thanë Presidenca dhe Qeveria?
Pas takimit me shefin e CIA-ë, Willima Berns, institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë shumë detaje.
Presidentja Osmani ka treguar shumë pak për takimin, kurse Qeveria ka dhënë më shumë detaje.
E para e vendit ka bërë me dije se ka qenë kënaqësi të takohet me ambasadorin Burns.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se aleanca me ShBA-të është garancë për siguri dhe paqe.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns.”, ka shkruar Osmani, e cila zyrtarin amerikan e ka takuar dje.
Kurse, njoftimi i Zyrës së Kryeministrit ka qenë më i gjatë.
Në njoftimin për media të kësaj zyra vizita e shefi të CIA-së vlerësohet si historike.
“Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Më tej, thuhet se Kurti e ka falënderuar zyrtarin e lart amerikan për vizitën dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, është thënë në njoftim.
Ndërsa, në pjesën e fundit të njoftimit tregohet se kryeministrin mysafirin e ka njoftuar edhe për rritjen ekonomike që e ka përjetuar Kosova.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, është thënë në njoftim.