“Mos e dh*ni punën”: 'Traumat' që më lanë fjalët ikonike eksplicite të ish ambasadores amerikane - NACIONALE

“Mos e dh*ni punën”: 'Traumat' që më lanë fjalët ikonike eksplicite të ish ambasadores amerikane

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Në vitin 2014, si njeri që s’gajlohej me zhvillimet e përditshme politike më shumë se ku ta pinte birrën e radhës, një fjalë më zuri të papërgatitur: “mos e dh*ni punën!” Ishte përdorur edhe fjala “ngërç” veçse me mbiemrin “politik”. E unë, tetë vite pas dua t’i bëj një vizitë kësaj shprehjeje.

Tetë vite më parë, të gjithë ishin bërë bashkë – Albin Kurti, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj – që ta rrëzonin atë që asokohe dukej i parrëzueshëm, Hashim Thaçin.

Edhe mua që s’e lodhja veten fort me politikë, më dukej goxha një farë shpërblimi të rrëzonim Hashim Thaçin nga pushteti. Më dukej si një shpëtim i përgjithshëm, dhe menjanim i të gjitha problemeve të mundshme që na shqetësonin në atë kohë.

Gjithçka bardh e zi dukej në politikën tonë. Opozita konsideronte që pozita ishte më e keqja në botë. Pozita konsideronte që opozita ishte më e keqja në botë. Asgjë s’ka ndryshuar.

Dhe, na erdhi dita e fjalisë së famshme.

PDK kishte dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Të gjitha partitë tjera që morën mjaftueshëm vota sa të hynin në parlament, u bënë bashkë dhe donin ta formonin një qeveri.

Mos e dh*ni punën

Jemi mësuar e stërmësuar që ambasadorët të kenë një qasje tepër të kujdesshme dhe diplomatike. Vendi ishte në ngërç politik. Koalicioni i partive opozitare dukej se s’ishte krejt në rregull sipas Gjykatës Kushtetuese. Dhe, duhej të vinim te ‘dhirja e punës’.

Ambasadorja e atëhershme e ShBA-së në Kosovë, Tracy Ann Jacobson në një ligjëratë te organizata “Fol”, ishte shprehur fjalëpërfjalshëm:

“Unë jam një zë, jam zë i zhurmshëm. Mesazhi im për politikanët ka qenë i qartë, në fakt mund ta them edhe në shqip, MOS E DH*J PUNËN.”

Qysh erdhi znj. Jacobson deri te kjo shprehje dhe si e përjetuan të pranishmit?

Gazetari Muhamet Koci, i cili ishte prezent në ligjëratën e Jacobson, tregon për ndjesitë gjenerale në mesin e atyre që po dëgjonin një ambasadore duke dhënë komente të tilla eksplicite.

“Ishte shokuese për ne si gazetarë. Të gjithë prisnim se ambasadorja do të qortonte spektrin politik për ngërçin e krijuar, por jo me atë fjali jo diplomatike. Kur bëheshim gati të perfundonte ai debat, erdhi ajo fjali bombastike. Dhe të gjithe ne mbetëm duke e shiku njëri-tjerrin dhe duke e pyetur: a te dëgjuan veshët atë që më dëgjuan mua?” – më tha Koci, një pro-amerikan i regjur.

Aludimi im është se znj. Jacobson kishte pyetur dikë, ndoshta Petrit Zogajn, se si thuhej nga anglishtja “Don’t screw it up!” E pastaj, ajo mund ta ketë marrë atë fjali pa e ditur se çka realisht po thoshte. Për më tepër, nuk besohet se ajo e njihte gjuhën shqipe.

Sidoqoftë, në rrethana ekstreme masat ekstreme janë të nevojshme, andaj – marrë parasysh si shkuan gjërat tutje – pak mund të ankohen për komentet e ambasadores, derisa e njëjta madje në prononcime tjera kishte thënë se deklarata e saj dha frytet e veta.

Komenti epik i Jacobson madje inspiroi edhe një këngë të zhanrit hip-hop, me autor BimBimmën, si kjo më poshtë:

Lajme të ngjashme