'Mos dyshoni në NATO': Liderët serbë ‘eskalojnë’ në deklarata pas opinionit të Kurtit
Në një opinion të publikuar të premten në “New York Times”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi edhe një herë se rreziku për një luftë vetëm po rritet. Liderë serbë kanë eskaluar në deklarata, duke bërë pretendime të rënda në drejtim të shefit të Qeverisë së Kosovës.
Ndër të parët që reagoi pas këtij opinioni, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i cili u shpreh si vijon:
“Albin Kurti është i vetmi që e pëlqen luftën, gjithë jetën e tij ka dashur të veshë një uniformë dhe të luaj “Zelenskin e vogël” në Ballkan, ëndrrat e Kurtit janë luftërat, ndërsa ëndrrat e mija janë suksesi, rritja ekonomike dhe industriale e Serbisë." - tha Vuçiq.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, njëherit i sanksionuar nga ShBA-të, bëri pretendime të rënda po ashtu.
Sipas “Kosovo-Online” Vulin ka pretenduar se Kurti bëri spiunazh sa ishte në burg, për kushte më të mira.
“Nëse dikush s’e kupton se çfarë frikacaku dhe gënjeshtari është ai, ta lexojë përsëri tekstin e tij. Ashtu siç pagoi për kushte më të mira në burgun serb në Pozharevc në vitin 1999 duke spiunuar shokët e tij ushtarë, ai sot do të paguante për fuqinë e tij me kokat e ushtarëve të NATO-s.” – ka pretenduar Vulin.
“Mos dyshoni në NATO-n, ajo e shpëtoi popullin tim”
Në opinionin e tij, Kurti flet se pas intervenimit të NATO-s, demorkacia në Kosovë është në ngritje.
“Prapëseprapë, edhe pse demokracia e Kosovës është në ngritje, në ngritje janë edhe rreziqet ndaj sigurisë së saj. Në shtator, trupa paramilitare serbe të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se erdhën nga Serbia, morën pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës në atë që qeveria amerikane e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshiu armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan afër kufirit tonë, lëvizje e kritikuar nga Shtetet e Bashkuara si “destabilizuese”. Vitin e kaluar, NATO-ja e rriti numrin e trupave të saj nga 3.770 në rreth 4.500, në kohën e shtimit të kërcënimeve ndaj paqes”.
Siç theksoi kryeministri i Kosovës, një front i ri në Ballkan, do t’u shërbente Rusisë e Serbisë.
“…Serbia do të mund të përpiqej që të fitonte territor përmes agresionit dhe Rusia do të mund të fitonte një kontroll më të fortë mbi Serbinë si satelit, shtuar pengimit të vëmendjes së botës nga lufta që është duke e zhvilluar në Ukrainë. Nën pushtetin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë edhe në ushtrinë e saj, edhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Një raport i vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së konkludoi se “Serbia e ofron mjedisin më tolerant për ndikim rus në Ballkanin Perëndimor”. Kosova, si kontrast, nuk do të mund të ofronte një mjedis më jotolerant [për ndikimin rus]. Ne kemi mbetur në mënyrë të vendosur pro-perëndimorë.” – ka thënë ai.
Opinionin e plotë të përkthyer nga Nacionale mund ta lexoni KËTU.