Mos dyshoni në NATO-n, ajo e shpëtoi popullin tim
Disa në Shtete të Bashkuara e kanë minimizuar rëndësinë e NATO-s. Shumë partnerë evropianë brengosen se pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA në nëntor, përkushtimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet. Por përderisa NATO-ja përgatitet për fillimin e samitit të saj në Uashington të martën, duke shënuar 75 vjet që nga lindja e saj, do të doja që t’i rikujtoj botës se si NATO-ja është e gdhendur në identitetin kulturor dhe politik të një shteti në Evropë, shtetit tim, Kosovës.
Shkruan: Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
Më 1999, një fushatë e pamëshirshme serbe, e udhëhequr nga udhëheqësi serb e presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, solli masakra, përdhunime e dëbim të rreth gjysmës së popullsisë shqiptare shumicë të Kosovës. Ishte një katastrofë humanitare. Sulmet e vazhdueshme ajrore të NATO-s ndaj forcave dhe pozicioneve serbe i dhanë fund tmerrit. Aleanca dërgoi gati 50 mijë trupa menjëherë pas kësaj.
Kush prej popullit tim do të mund t’i harronte pamjet e ushtarëve të NATO-s duke u pritur me ngazëllim me të arritur? Gjatë 25 viteve të fundit, përderisa NATO-ja e ndihmoi çlirimin e Kosovës dhe e ruajti paqen, ne në këmbim e ndërtuam demokracinë për ta ushqyer këtë paqe nga brenda. Ne e shpallën pavarësinë tonë më 2008, ide që do të rezonojë tek amerikanët që porsa e festuan Ditën e tyre të Pavarësisë. Shumica e botës tani e njeh vendin e njohur si Kosovo, edhe pse unë e parapëlqej drejtshkrimin e saj në shqipe, Kosova.
Ne kishim pak dyshim, duke i marrë parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë e Bosnjë, se gjendja në Kosovë do të ishte përkeqësuar shpejt pa NATO-n. Si kosovar, është e dhimbshme madje edhe ta imagjinoj se sa më keq do të mund të bëhej.
Nga fillimi, ndërhyrja e NATO-s ishte humanitare. Por një ndërhyrje humanitare u shërben interesave kombëtare, gjithashtu, sado shumë që do të donim t’i mendonim si të veçanta ato. Paqja në Evropë dhe ndalja e vuajtjeve njerëzore u shërbyen interesave kombëtare të anëtarëve të NATO-s. Konflikti në Ballkan e shton rrezikun e përhapjes në Evropë Perëndimore, jo vetëm përmes krizave me refugjatë, por gjithashtu përmes tërheqjes së lojtarëve të huaj në këtë brez kufitar gjeopolitik historikisht domethënës, duke e kërcënuar sigurinë e Evropës.
NATO-ja nuk është entitet abstrakt që vepron më vete. Ajo kërkon vullnet politik. Në rastin e Kosovës, ne e kishim vullnetin politik të shumë fuqive të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, fuqia më e madhe ushtarake e NATO-s. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i njihte rajonin dhe tmerret e luftërave evropiane. Pavarësisht se ishte e lidhur fuqishëm me administratën e Clinton-it, ndërhyrja ishte dypartiake. Në Kongres, senatori Bob Dole, republikan, ishte mbrojtës i fuqishëm.
Ndërhyrja ushtarake duket të jetë gjithmonë zgjedhje e fundit, dhe në Kosovë ajo ishte. Takimet e nivelit të lartë dështuan vazhdimisht, përfshirë bisedimet në Kështjellën e Rambujesë në Francë mes përfaqësuesve serbë e shqiptarë si dhe zyrtarëve amerikanë, evropianë e rusë. Diplomacia ishte shterur, ndërsa njerëzit po vriteshin. Lufta në Kosovë ishte e katërta që Millosheviqi e kishte kryer në ish-Jugosllavi.
Shkalla e mizorisë kërkonte një kundërpërgjigje të fortë. Pas 78 ditëve të bombardimeve ajrore, sulmi më i madh ushtarak i aleancës që nga themelimi i saj më 1949, forcat e armatosura serbe u tërhoqën. NATO-ja qëndroi në Kosovë dhe kthimi i refugjatëve pasoi nën administrimin dhe mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Prania e NATO-s e siguroi paqen dhe na lejoi që të rindërtoheshim. Trupat e mbrojtën kufirin tonë, por gjithashtu na ndihmuan që ta mbronim veten, përfshirë ndërtimin e ushtrisë, Forcën e Sigurisë së Kosovës. Misioni fillestar u nda nga Franca në veri, Italia në perëndim, Gjermania në jug dhe Shtetet e Bashkuara në lindje dhe Mbretëria e Bashkuar në lindjen qendrore. Me kalimin e viteve, përderisa stabiliteti ynë shtohej, NATO-ja në masë drastike e zvogëloi numrin e trupave, nga 50 mijë sa ishin fillimisht, në disa mijëra.
Perëndimi duhet të jetë krenar me këtë arritje. Kosova tani njihet si demokracia e renditur më së larti në Ballkanin Perëndimor. Ky transformim nuk ishte vetëm vepër e NATO-s; ai kërkoi përpjekje nga shumë palë dhe, më e rëndësishmja, vendosmërinë e popullit kosovar që u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri këtë realitet të mundshëm dhe nuk është e rastësishme që lufta në Ukrainë e shënon luftën e parë të madhe evropiane në më shumë se 100 vjet në të cilën nuk kanë marrë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike – duhet të ruhet vazhdimisht.
Prapëseprapë, edhe pse demokracia e Kosovës është në ngritje, në ngritje janë edhe rreziqet ndaj sigurisë së saj. Në shtator, trupa paramilitare serbe të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se erdhën nga Serbia, morën pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës në atë që qeveria amerikane e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshiu armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan afër kufirit tonë, lëvizje e kritikuar nga Shtetet e Bashkuara si “destabilizuese”. Vitin e kaluar, NATO-ja e rriti numrin e trupave të saj nga 3.770 në rreth 4.500, në kohën e shtimit të kërcënimeve ndaj paqes.
Sfidat politike mbeten, gjithashtu. Më 2017, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës nën pushtetin e Millosheviqit, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi një rikthim te politikat autoritare e etno-nacionaliste të Millosheviqit, sidomos ato të llojit ekspansionist. Politikat autoritare të Beogradit e bënë jetën veçanërisht të vështirë për serbët etnikë në Kosovë. Ata u detyruan që ta drejtonin rolin e tyre si pakicë në një shtet të ri me përafërsisht 93 për qind popullsi etnike shqiptare dhe 7 për qind që përbëhen nga pakica të tjera, përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. Nevojitej trimëri nga serbët etnikë që t’u bashkoheshin institucioneve dhe të bëheshin pjesëmarrës aktivë në vend.
Një front i ri në Ballkan do t’u shërbente Rusisë dhe Serbisë: Serbia do të mund të përpiqej që të fitonte territor përmes agresionit dhe Rusia do të mund të fitonte një kontroll më të fortë mbi Serbinë si satelit, shtuar pengimit të vëmendjes së botës nga lufta që është duke e zhvilluar në Ukrainë. Nën pushtetin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë edhe në ushtrinë e saj, edhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Një raport i vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së konkludoi se “Serbia e ofron mjedisin më tolerant për ndikim rus në Ballkanin Perëndimor”. Kosova, si kontrast, nuk do të mund të ofronte një mjedis më jotolerant [për ndikimin rus]. Ne kemi mbetur në mënyrë të vendosur pro-perëndimorë.
Një çerekshekulli pas ndërhyrjes, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë më parë. E kaluara e saj e fortë në vend dëshmon që demokracia dhe përkrahja institucionale për të cilat ajo ndihmoi të themeloheshin, bashkë me kërcënimet e jashtme që ndihmoi të ndaleshin, me sukses e ruajtën paqen. Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po ballafaqohemi me luftë dhe kërcënime me luftë në Evropë edhe një herë. Këtu, paqja ruhet vetëm përmes aftësisë sonë për ta mbrojtur atë, kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe rreziku i një sfide të tillë është më real se kurrë më parë.
Ky opinion është publikuar fillimisht në gazetën "The New York Times".
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli