Molliqaj pasi partia e Kurtit përkrahi "Marshin për Drejtësi": Ku ka numra e masë, është VV-ja oportuniste
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë një tjetër shkrim rreth “Marshit për Drejtësi”, duke përmendur deklaratat e kryeministrit Kurti dhe “përkrahjen” e VV-së për këtë organizim.
Molliqaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se “UÇK-ja është guxim, jo kalkulim”.
“UÇK-ja na bashkon. Mbrojtja e saj duhet të jetë mbi politikën ditore. Ajo është sidomos mbi çdo llogari suksesi. Ajo duhet t'i mbizotërojë pozicionet e pushtetit dhe ambiciet për pushtet.” – ka thënë ai,
Ai ka përmendur edhe deklaratat e kryeministrit Kurti, i cili tha se “nuk ka dëgjuar për këtë marsh”, por më vonë, partia e tij doli në përkrahje"
“E lexueshme, ku ka numra e masë, aty e keni VV-në oportuniste. Kjo është e kundërta e rrugës së saj. UÇK është udhëhequr nga guximi, dhe jo nga disponimi i dobët si konsensus i opinioneve.” – ka thënë ai.
Tutje, Molliqaj ka shkruar si vijon: “Veç kësaj, jo të gjithë i kemi mundësitë e njëjta për ta mbrojtur UÇK-në. Kush ka pushtet duhet të flasë me vepra. Nëse dikur ke premtuar zhbërjen e Speciales, tash është rasti ta tregosh konsistencën. Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë. Nëse vazhdimisht thekson se dikur nuk e ka votuar, sot pa e shuar Gjykatën mund t'i korrigjosh shumë nga padrejtësitë e saj”.
“Kështu matet partia në pushtet. Ndryshe, vërtetohet thënia "Shko Hashim". Vërtetohet edhe ndërhyrja nga burgu për ta pamundësuar shfuqizimin e Ligjit.” – ka thënë ai në fund.
Lëvizja Vetëvendosje, që është partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqëse me Qeverinë e Kosovës, e ka përkrahur marshin solidarizues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që do të mbahet me 2 prill.
Megjithatë, VV-ja e ka përmendur vetëm Rexhep Selimin me emër, ish-deputet i VV-së, duke i anashkaluar emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që po ashtu janë të paraburgosur në të njëjtën akuzë sikurse Selimi.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës.” – thuhet në komunikatën e VV-së.
