VV-ja e mbështet marshin e 2 prillit, e përmendin vetëm Rexhep Selimin - NACIONALE

VV-ja e mbështet marshin e 2 prillit, e përmendin vetëm Rexhep Selimin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje, që është partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqëse me Qeverinë e Kosovës, e ka përkrahur marshin solidarizues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që do të mbahet me 2 prill. Sigurisht, një qëndrim befasues nga partia në pushtet, pasi dje Albin Kurti, kryeministër i Kosovës e lider i VV-së deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë nismë.

Megjithatë, VV-ja, përmes një postim në Facebook, LVV-ja ka shkruar se lufta çlirimtare e Kosovës është një prej ngjarjeve historike me të vlefshme.

“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë.” – shkruan VV-ja.

Por sërish VV-ja e ka përmendur vetëm Rexhep Selimin me emër, ish-deputet i VV-së, duke i anashkaluar emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që po ashtu janë të paraburgosur në të njëjtën akuzë sikurse Selimi.

“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës.” – vlerësoi VV-ja.

Ndryshe, në intervistën për “Rubikon”, mbrëmë Kurti theksoi se nuk ka dëgjuar më parë për këtë nismë, kur u pyet në lidhje me organizimin e marshimit për drejtësi e në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Ndonëse Kurti deklaroi se do të shoh organizatorët dhe kërkesat, pastaj do ta vlerësojë pjesëmarrjen e tij.

“Po e shoh organizatorin edhe kërkesat edhe po e vlerësoj. Me iu thanë të drejtën nuk e kam dëgjuar deri më sot këtë iniciative, por, si është dita ime këtu, ndonëse duket afër, 2 prilli i së dielës ka ca kohë.” - tha dje Kurti.

Marshi për drejtësi...

Siç tashmë dihet, me 2 prill, pra të dielën, nga ora 14:00 në Prishtinë do të mbahet një marshim për drejtësisë, që është një nismë solidarizuese me ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po akuzohen për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale. E organizuar nga “Liria ka emër”, marshimi ka marrë jehonë, duke u përkrahur nga PDK-ja, PSD-ja e disa figura të rëndësishme nacionale

Siç shkroi Nacionale, organizata “Liria ka emër”, që do të organizojë këtë marshim për drejtësi, e di se për çka do të solidarizohet. Pra për të dërguar një mesazh se historia nuk mund te rishkruhet.

“Me 2 Prill nga ora 14:00 takohemi tek sheshi "Zahir Pajaziti" për të marshuar drejt sheshit "Skenderbe" së bashku për t'u solidarizuar me ata qe dikur marshuan e luftuan për lirinë tonë - ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.” – thuhet në “eventin” e krijuar në Facebook për këtë nismë.

Këtë iniciativë e ka përkrahur Partia Demokratike e Kosovës, e cila nëpërmjet kryetarit të saj, Memli Krasniqi, i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë marshim.

“Prandaj, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare!” – shkroi ditë më parë Krasniqi në profilin e tij në Facebook, transmeton Nacionale.

Përveç PDK-së, edhe PSD-ja e ka bërë të qartë përkrahjen për këtë organizim. Njëkohësisht edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, doli në përkrahje të këtij marshimi.

““Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim! Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi! Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi.” – shkroi ish-kryeministri Mustafa, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme