Moldavia thotë se ka gjetur mbetje të raketave në veri të vendit
Ministria e Brendshme e Moldavisë, ka njoftuar se pas breshërisë së fundit të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë, në veri të vendit janë gjetur mbetje të raketave.
“Pas bombardimeve masive të Rusisë ndaj Ukrainës, një patrullë e policisë kufitare zbuloi... mbetjet e një rakete, me origjinë nga sulmet ajrore të Rusisë në Ukrainë,” – ka shkruar ministria në Facebook, duke shtuar se janë marrë menjëherë masa për mbrojtje të zonës.
“Sikur edhe në rastet paraprake, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, sipas procedurës, nga institucionet kompetente,” - thuhej në njoftim.
Ky raportim nuk është komentuar ende nga Rusia.
Kujtojmë se incidente të ngjashme në Moldavi kanë ndodhur edhe në të kaluarën, duke përfshirë një në muajin dhjetor kur policia gjeti fragmente të një rakete që ra në një rajon të Moldavisë veriore pranë kufirit me Ukrainën.
