Evropa përgatitet për të dërguar tanke në Ukrainë, presion mbi Gjermaninë - NACIONALE

Evropa përgatitet për të dërguar tanke në Ukrainë, presion mbi Gjermaninë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shumë vende evropiane i janë përgjigjur për herë të parë thirrjes së gjatë të presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky për të furnizuar Kievin me tanke moderne luftarake.

Franca, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar se së shpejti do të dërgojnë tanke për ushtrinë ukrainase për t'i përdorur në përpjekjet e saj për t'u mbrojtur nga Rusia, ndërsa është bërë e ditur se shembullin e tyre po mendon ta ndjekë edhe Finlanda.

Siç kemi raportuar më herët, Downing Street ka njoftuar se Britania është duke plainfikuar të dërgojë tanke Challenger 2 dhe sisteme shtesë artilerie si pjesë e përpjekjeve për të "intensifikuar" mbështetjen për Ukrainën.

Ndërkohë, edhe presidenti polak Andrzej Duda duke folur së bashku me Zelenskyn në qytetin ukrainas të Lviv të mërkurën, tha se shpresonte se tanket nga një sërë aleatësh perëndimorë do të "lundrojnë së shpejti nëpër rrugë të ndryshme për në Ukrainë dhe do të jenë në gjendje të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës".

Këto lëvizje të fundit kanë ngritur presion edhe mbi Gjermaninë, e cila javën e kaluar tha se do të transferonte automjete luftarake të këmbësorisë në Kiev, por ende nuk është angazhuar për dërgimin e tankeve.

Kancelari Olaf Scholz ka këmbëngulur se çdo plan i tillë do të duhet të koordinohet plotësisht me të gjithë aleancën perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, por mbështetja e Gjermanisë shihet si vendimtare.

Sipas Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, trembëdhjetë vende evropiane, duke përfshirë Poloninë dhe Finlandën, kanë në posedim tanke moderne gjermane Leopard 2, të cilat u prezantuan në vitin 1979 dhe që atëherë janë përditësuar disa herë. E ndërsa çdo rieksportim i këtyre tankeve nga këto vende zakonisht do të kishte nevojë për miratim nga qeveria gjermane, Berlini ka thënë se nuk do të bllokojë transferimin e tyre nga vendet e tjera në Kiev.

Kujtojmë se, në muajin dhjetor, komandanti më i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhny, pati thënë për Economist se ushtrisë i duheshin rreth 300 tanke për të mposhtur rusët.

Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë vlerëson se, në të gjithë Evropën ndodhen rreth 2000 tanke gjermane Leopard.

Lajme të ngjashme