Modeli kroat që paraqiti Kurti, eksperti nga Zagrebi: Te ne solli patriotizëm kushtetues të serbëve - NACIONALE

Modeli kroat që paraqiti Kurti, eksperti nga Zagrebi: Te ne solli patriotizëm kushtetues të serbëve

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Drafti për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe që u paraqit nga Ekipi Menaxhues ishte “dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe në Kosovë” dhe “në themel i papajtueshëm me Kushetutën e Kosovës”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel. Megjithatë, ai kishte shkuar edhe më një version-vision të tij “të frymëzuar nga modeli kroat”. Kjo nuk i kishte pëlqyer fare presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se sa i përket Asociacionin “kemi goditur murin”. Por, çfarë është ky model kroat, i paramenduar nga Kurti. Eksperti kroat për çështje të Ballkanit, Davor Gjenero, në një bisedë me Nacionalen ka një shpjegim. Për të, ky model “është ideal” ngase thotë se situata në Kosovë dhe Kroaci me pakicën kombëtare serbe është e njëjtë.

Shpjegimi i tij është i thjeshtë. Edhe në Kosovë edhe në Kroaci ka zona që “në mënyrë koherente” janë banuar nga komuniteti me shumicë serbe, përkatësisht në Podunavlje të Kroacisë dhe në veri të Kosovës. Ky aranzhim kroat, thotë ai, është model organizimi joqeveritar ku “këto komuna përmes Këshillit të Përbashkët Komunal munden që në njërën anë të gjejnë financimet për projektet e përbashkëta dhe në anën tjetër përmes atij institucioni munden që në mënyrë direkte të komunikojnë me Serbinë pa ndonjë lloj ndikimi kroat në atë projekt”.

Davor Gjenero thotë se ky model “është tejet i mirë, funksional dhe i frytshëm”. Për të argumentuar këtë konstatim të tij, ai thotë se kanë përfituar komuniteti serb por edhe vetë shteti kroat. Kjo ngase thotë se “serbët e kanë definuar pozicionin e tyre të patriotizimit kushtetues në Kroaci” si dhe “nuk janë më pjesë e atyre projekteve që bëhen në Beograd siç edhe janë të mirënjohura si Bota Serbe”.

Mendoj se ka disa arsye se pse modeli kroat për Këshillin Kombëtar Komunal mund të jetë ideal për Kosovën. Së pari, ky model u ndërtua në Kroaci gjatë procesit të ripajtimit paqësor në Kroaci dhe integrimit të komunitetit minoritar serb në trupin politik të Kroacisë. Së dyti, mendoj se arsyeja se pse modeli kroat është zgjidhja më e frytshme për Kosovën është fakti se situata në Kosovë dhe Kroaci në të 90’at janë të ngjashme. Edhe në Kosovë edhe në Kroaci kemi pasur situatën ku projektet nacionaliste serbe kanë bankrutuar që ishin bërë përmes agresionit ushtarak. Dhe, ishte e domosdoshme për të gjetur një lloj modeli për zgjidhjen e problemeve të luftës. E treta çështja e përbashkët është fatki se edhe në Kosovë edhe në Kroaci serbët janë rreth 5 përqind të banorëve. Dhe përfundimisht edhe në Kosovë edhe në Kroaci kemi pasur të bëjë me një pjesë goxho të vogël të territorit shtetëror që në mënyrë koherente është banuar nga komuniteti serb, në Podunavlje në Kroaci dhe në veri të Kosovës”, tha Gjenero për Nacionalen.

Këtë model ai e shpjegon të një lloj aranzhimi ose organizimi jo qeveritar, ku serbët organizohen për të financuar projektet e tyre të përbashkëta si dhe kanë kanal komunuikimi me Beogradin pa ndërhyrjen e shtetit kroat. Dhe krejt kjo është “e frytshme”, beson ai.

Në Kroaci modeli u definua gjatë procesit të integrimit paqësor, dhe modeli u themelua duke e pasur ndërmjet një organizim joqeveritar të komuniteteve me shumicë serbe në rajonin e Poduljavne. Prandaj, këto komuna përmes Këshillit të Përbashkët Komunal munden që në njërën anë të gjejnë financimet për projektet e përbashkëta dhe në anën tjetër përmes atij institucioni ata munden që në mënyrë direkte të komunikojnë me Serbinë pa ndonjë lloj ndikimi kroat në atë projekt. Ky model është funksional, funksionon që nga 1998 deri sot, është i frytshëm dhe i mirë për minoritetin serb në Kroaci”, shtoi ai.

Andaj, sipas ekspretit kroat, serbët e Kosovës mund të marrin dhe të përvetësojnë modelin e serbëve në zonat e Danubit. Dhe, për një periudhë tejet të shkurtër, thotë ai, mund të shpërfaqet funksionaliteti i saj.

Është edhe i mirë për Kroacinë sepse gjatë këtyre 20 viteve serbët në Kroaci kanë definuar pozicionin e tyre të patriotizmit kushtetues së Kroacisë dhe nuk janë më pjesë e atyre projekteve që bëhen në Beograd siç edhe janë të mirënjohura si Bota Serbe. Prandaj, mendoj se ka në njërën anë të mirë si model funksional dhe shumë elemente përbashkëta të situatës në Kosovë dhe Kroacia. Dhe kjo mendoj se e definon këtë model si më të mirin. Ka shumë përvoja. Njerëzit në ato 4 komuna mund të mësojnë si të funksionojnë si serbët në zonat e Danubit. Modeli kroat për Kosovën mund të jetë funksional për një periudhë tejet të shkurtër kohore”, përfundoi Davor Gjenero./Nacionale/

Lajme të ngjashme