Mjetet e Qeverisë për Luginë të Preshevës: Aleatët e Kurtit zotohen për transparencë, oponentët e tij paralajmërojnë keqmenaxhim - NACIONALE

Mjetet e Qeverisë për Luginë të Preshevës: Aleatët e Kurtit zotohen për transparencë, oponentët e tij paralajmërojnë keqmenaxhim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarjen e 1234 bursave me vlerë prej 731, 916,00 euro për studentët dhe nxënësit e Luginës së Preshevës është mirëpritur nga përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës.

Gazetare : Albiona Destani

Zyrtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e opozitës atje kanë shprehur mendime të ndryshme për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës. Derisa të parët janë zotuar se këto mjete do të ndahen në mënyrë transparente, të dytët kanë shprehur drojën e tyre për mundësinë e keqpërdorimit të këtyre mjeteve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, është zotuar se procesi i ndarjes së bursave do të zhvillohet në mënyrën më transparent të mundshme.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Lutfiu ka treguar për përgatitjet që këshilli ka bërë për këtë proces.

“Këtë vit i kemi hapur 3 thirrje, dhe gjithë ky proces është zhvilluar në mënyrën më transparente të mundshme, dhe kështu do të veprohet deri në fund. I kemi ngritur për çdo thirrje dy komisione, komisionin vlerësues dhe ankimor, pra çdo thirrje kalon në dy filtra. Dhe jam i bindur se fondi Kosovës do të shpërndahet me transparencën më të madhe të mundshme”, tha Lutfiu.

Lutfiu ka thënë se kjo ndihmë do t`i ndihmojë shumë studentët dhe nxënësit nga Lugina e Preshevës.

“Kjo formë e shpërndarjes ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë të kësaj ane”, theksoi Lutfiu.

Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e partive tjera në Luginë.

Kryetari i Partisë Alternativa për Ndryshim, Visar Mehmeti, ka thënë se buxheti duhej të dërgohet përmes komunave përkatëse e jo përmes Këshillit Nacional Shqiptarë.

Ai ka treguar arsyen pse duhet të bëhet ky ndryshim.

Sipas tij, fondet paraprake të Qeverisë së Kosovës janë keqpërdorur nga Këshilli.

“Sa i përket mjeteve që janë ndarë, këto mjete janë në kuadër të vijës buxhetore të aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila është dashtë me kalu tek komunat përkatëse e jo Këshillit Nacional Shqiptar”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se ai edhe në këtë ndarje buxhetore i ka dyshimet e veta për keqpërdorimin e tyre.

“Ndërsa kësaj here janë aprovuar mbi 700 mijë euro për bursa të studentëve dhe nxënësve nga Lugina, ku unë edhe këtu i kam dyshimet e mija për keqpërdorimin e mjeteve”, tha ky i fundit për Nacionalen.

Dyshime për keqpërdorim të këtyre mjeteve ka shprehur edhe kandidati për kryetar të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.

Ai pati thënë për gazetën Nacionale se fondi i dedikuar për qytetarët e Luginës së Preshevës ishte keqpërdorur nga vet ata të cilët Qeveria e Kosovës i përkrahi.

“Qytetarët ishin të njoftuar se kandidati të cilin në këtë rast e përkrahi Qeveria e Kosovës, ishte po ai i njëjti që keqmenaxhoi me Fondin e Kosovës të dedikuar për qytetarët e Luginës së Preshevës. Nëse dëshironi ta dini se si është keqmenaxhuar fondi, lehtë me një hulumtim mund t'i siguroni të dhënat. Njerëzit që ishin shokë të Ragmiut, njerëz edhe partiak, edhe prej tyre që ishin në listë për këshilltarë nga partia e Ragmiut, PVD, morën fonde të majme nga Fondi i Kosovës, dhe nuk kanë asnjë aktivitet në Luginës”, kishte thënë Pajaziti për Nacionale.

Për vendimin e Qeverisë së Kosova ka folur edhe një qytetar nga Komuna e Bujanocit.

Në kushte anonimiteti, ai ka thënë se vendimi i ekzekutivit kosovar do të ndikojë pozitivisht.

“Qeveria e Kosovës lavdërohet për çdo transfer që e bënë, gjithmonë kur lëshon buxhet, kjo bëhet lajm. Lajmi ka qenë kur Lugina e Preshevës ka hyrë në linjë buxhetore, ose nëse rritet 3 milionshi”, tha qytetari i Komunës së Bujanocit.

Ky i fundit kërkoi edhe që të rritet kontrollimi i mjeteve, të shpërndahen, e jo të përsëritet rasti si herën e kaluar, edhe pse është optimist se këtë vit ka më shumë kontroll.

“Mos të keqpërdoret kjo nga Kryeministri Kurti, sepse këto janë paratë e popullit të Kosovës, jo personale të Kryeministrit, mos të keqpërdoret dhe të favorizohet kjo e të ndikojë politikisht me parti të caktuara, vetëm se po lëshon para”, tha ai.

Qeveria e Kosovës të mërkurën e ka marrë vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve për Luginë të Preshevës.

Kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ndanë mjetet për Luginën e Preshevës. Prej vitesh, Kosova e ndan një fond të caktuar për të ndihmuar shqiptarët e asaj pjese.

Lajme të ngjashme