Mirëpritet "Rruga e tretë" e LDK-së: Pse nisma e Abdixhikut është e qëlluar?
Në kohën kur kryeministri Kurti duket se po e izolon Kosovën nga aleatët nderkombëtarë e shqiptarët e Ballkanit Perëndimor, Lidhja Demokratike e Kosovvës iu ka kthyer zanatit të saj të vjetër, të ndertojë ura bashkëpunimi me miqtë tradicional të Kosovës, që iu gjenden pranë në ditët e saj më të vështira.
LDK përmes kryetarit të saj Lumir Abdixhiku sot e ka nisë një iniciativë për të ndërtuar një “rrugë të tretë”, që sipas tij, e shpëton vendin nga konfrontimi me partnerët më të mëdhenj ndërkombëtarë.
Abdixhiku, me anë të një shkrimi në Facebook, njoftoi për iniciativën duke, thënë se Kosova s’ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht, ndërsa për Serbinë thotë se nuk ka pasë kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare sesa sot.
“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur.E vërteta është e trishtë. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim”, tha ai.
Njohësit e çështjeve politike në vend mendojnë se është koha për një nismë politike që parandalon izolimin e vendit dhe kthimin e Kosovës në një shtet policor.
Alternativë, moblizim…
Analisti Visar Ymeri mendon se Kosova ka nevojë për një narrativë tjetër politike, që do ishte alternativë e asaj të qeverisë Kurti.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ymeri tha se nisma e LDK-së së drejtuar nga kryetari Lumir Abdixhiku është për t’u përshendetur.
“Është e qartë që Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme për një narrative tjetër politik karshi këtij që po e dominon opinionin e që është narrative e Qeverisë dhe KM Kurti. Është po ashtu tejet e domosdoshme që të kemi opozitë aktive partiake e parlamentare, krahas dhe bashkë me angazhimin shoqëror, me qëllim të artikulimit të një qëndrimi alternativ politik në këtë situatë që po shkon drejt rëndimit të vazhdueshëm. Në këtë drejtim mendoj që nisma e LDK-së përmes kryetarit të saj Lumir Abdixhiku është për t’u përshëndetur”, tha Ymeri.
Ai tha se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një nismë politike që ka synim eurointegrimet, zhvillimin dhe bashkëpunimin, e jo izolimin e polarizimin e shoqërisë.
“Për këtë nismë aktualosht dijmë vetëm për formën, të cilën e ka shpalosur Abdixhiku, e që është bashkëpunim me akterë të ndryshëm politik, të shoqërisë civile, intelektual e artistë drejt krijimit të një fronti shoqëror. Përmbajtja e kësaj nisme besoj që do të duhej të bëhej publike shpejtë. Kosova ka shumë nevojë që ta luftojë politikën e frikës, me një alternativë shprese, politikën e polarizimit e përplasjes me një alternativë bashkëpunimi, koncenzusi e kompromisi, mendësinë e izolimit me një afirmim të integrimit e përparimit”, tha ai.
“Qeveria aktuale flet shumë për të konstatuar pamundësitë, kur do të duhej të përqëedrohej në krijimin e hapjen e mundësive të reja dhe tejkalimin e pengesave. Politika e shoqëria shpenzojnë shumë kohë duke folur për të vuajtjet e së kaluarë, kur na duhet një ravijëzim i qartë i përfitimeve nga e ardhmja. Këto mungesa në diskutimin politik sot duhet të jenë diskutimet krysore për një politikë që kërkon afirmim sovraniteti, avancim ndërkombëtar të Kosovës e zhvillim shoqëror, politik e ekonomik të vendit tonë, drejtë një shoqërie liberale e të integruar”, shtoi Ymeri.
Ndërsa, gazetari Halil Matoshi, mendon se duhet të ndërmirret çdo masë për ta përandaluar kryeministrin Kurti që ta kthejë vendin në një shtet policor.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Matoshi tha se gjithë shoqëria dhe opozita duhet të mobilizohet për t’i thënë “jo” shtetit policor dhe politikave izolacioniste të qeverisë së Kosovës.
“Opozita dhe tërë shoqëria kosovare është në alarm dhe duhet të mobilizohet sot, për t’i thënë jo shtetit policor në Kosovë - nga brenda - dhe shtetit izolacionist nga jashtë. Po e shoh me sy e ndiej me veshë nifar deshire t’pa fré. por të marrë, të kosovarëve për shtetin policor në veri të vendit. Sepse thjesht atje qytetarët perceptohen armiq të shqiptarëve, ngase janë serbë. Askush nuk pyet cili ka me qenë fundi? Le ma se a është e drejtë!??? – tha Matoshi.


