"Rruga e Tretë" e LDK-së: Qysh po provon Abdixhiku t’ia nxjerrë ‘gjumin’ popullit?
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duket se po kërkon që t’i nxjerrë gjumin popullit të Kosovës në këtë periudhë dramatike. Kjo parti politike e ka nisur një iniciativë që duket mjaft serioze. “Rruga e tretë” – quhet ajo, dhe për të po kërkohet edhe ndihma juaj. Pse?
Së pari, ta nisim me elaborimin e kontekstit në të cilin po kërkon të shtrihet kjo iniciativë politike.
Kosova tashmë e ka pësuar me masa ndëshkimore nga BE-ja, dhe pritet shpejt që të ndëshkohet edhe nga ShBA-ja. Por, një e keqe tjetër e madhe, po aq e madhe, është se në opinionin publik fjalët “ndëshkim” e “izolim” nuk duket se po përjetohen si fjalë të këqija.
Tashmë, edhe vetë qeveritarët me përkrahësit e tyre po e pranojnë hapur se mund të ketë ndëshkime e mund të ketë izolim të Kosovës. Por, ata po provojnë që këtë izolim e këto ndëshkime t’i bëjnë thua se janë gjëra të bukura, gjëra që i kërkonte vetë populli i Kosovës.
Qe një shembull:
“Kjo osht fantastike... Nëse e fusin në listë të zezë. Kjo osht keq veç për Amerikën. Ti pi bon presion një pale të dobët. Ti pi bon presion një viktime. Kjo nuk osht mirë me Amerikën.” – thoshte analisti Shkëlzen Gashi para disa jave.
Eh, mu këtë portretim të realitetit do të provojë ta rrënojë iniciativa e re e LDK-së.
“Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytët e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur.” – tha sot Abdixhiku.
Besoj e patë se si analist Gashi provoi ta bënte “këtë çmenduri” të dukej bukur. Të njëjtën logjikë e ndjekin edhe analistët e tjerë të pushtetit.
Pse "Rruga e Tretë"?
"Rruga e Tretë" është një term që përdoret zakonisht kur janë dy rrugë, dy alternativa, tashmë të etabluara.
Besohet se Abdixhiku dhe LDK-ja kanë ndërmend në këtë rast se "Rruga e Parë" është ajo e Kurtit, në të cilën përpjekja për shtrirje të sovranitetit në veri po i dëmton rëndë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. "Rruga e Dytë" është ajo që thotë se nuk duhej bërë përpjekje fare për shtrirje sovraniteti, duke i kënaqur vazhdimisht partnerët ndërkombëtarë. Abdixhiku sheh në këtë mes tamam një rrugë të tretë.
Qysh, gjumin?
Në fjalën e tij, Abdixhiku kërkon që të mos ia bëjmë rrafsh vetes. Dhe, ta themi e ta pranojmë të vërtetën. Të mos e gënjejmë veten. T’i çelim sytë.
“E vërteta është e trishtë. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot.” Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot.” – thotë kreu i LDK-së.
Por, për të gjithë ata që nuk duan të flenë më, LDK-ja e jep rrugën e saj të re.
Abdixhiku premton se kjo rrugë e dërgon shoqërinë drejt familjes euroatlantike. Aty ku e kemi vendin. Por, edhe një që fiton përballë Serbisë “brenda e ndërkombëtarisht”.
Pra, me fjalë të tjera: Kosova edhe mund të jetë mirë me Amerikën, BE-në dhe krejt partnerët tjerë ndërkombëtarë por edhe të shtrijë sovranitetin e saj në veri të Kosovës.
Kreu i LDK-së në këtë nxjerrje gjumi kërkon ndihmën e të gjithëve. Edhe tëndin. Edhe të secilit.
Ai po kërkon që zëri juaj të dëgjohet më shumë se zëri i profileve të rreme që i hasni përditë në Facebook. Dhe që të ndërtohet një zë alternativ krahas atij të Qeverisë së Kosovës, e të cilin do ta dëgjonte bota.
Abdixhiku ka lajmëruar se për këtë iniciativë do të fillojë me takime akterë të ndryshëm qysh prej ditëve të ardhshme ku edhe do ta prezantojë planin e LDK-së për ta nxjerrë Kosovën nga kriza e izolimit ndërkombëtar.
"Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë!" - thotë Abdixhiku. Mos ndoshta ka të drejtë?
Nacionale ka hapur një sondazh në faqen e saj në Facebook, në të cilën ka pyetur qytetarët nëse e përkrahin këtë iniciativë të LDK-së. Për t'u bërë pjesë e sondazhit, kliko më poshtë:


