Shtatë prurjet më domethënëse të Abdixhikut në LDK - NACIONALE

Shtatë prurjet më domethënëse të Abdixhikut në LDK

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shqipe Pantina i shpëtoi ‘profilizimit’ si analiste televizive nga gazeta Nacionale duke aderuar sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Por, ajo s’është prurja e vetme në partinë që drejtohet tash e një vit e gjysmë nga Lumir Abdixhiku. Cilat ishin prurjet tjera domethënëse të kësaj partie?

14 shkurti i vitit 2021 ishte ditë e rëndë për LDK-në. Ata kishin marrë rezultatin më të dobët në historinë parlamentare të Kosovës: vetëm 12.7 për qind.

Kjo i bëri të detyrueshme reformat që e sollën në krye Lumir Abdixhikun. Por, ardhja e Abdixhikut nuk nënkuptonte edhe rritje të 12.7 përqindëshit. LDK mbeti me 12.7 për qind dhe me vetëm pesëmbëdhjetë deputetë. Nënkuptueshëm, mundësia që të merrte kuadro të reja mbetej e kufizuar.

E megjithatë, zhvillime domethënëse do të ndodhnin. Abdixhiku në ekspozenë e zgjedhjes së tij si kryetar partiak kishte thënë që do të bënin edhe reformë organizative... dhe kjo, mund të vërehet edhe te njerëzit e zgjedhur prej tij.

Sibel Halimi

Sibel Halimi, veprimtarja për të drejta të njeriut, studiuesja e sociologjisë e poetja e mirënjohur kosovare, do të bëhej pjesë e partisë së drejtuar nga Abdixhiku dhe do të zinte vend shumë të rëndësishëm qysh në fillim.

LDK-ja për vite me radhë kishte qëndruar keq (dhe kjo ishte pranuar madje edhe nga ish-kryetari Isa Mustafa) sa i përket komunikimit me publikun. Halimi do të bëhej njeriu kryesor i LDK-së në këtë çështje duke u bërë zëdhënëse politike. Ajo do të bëhej po ashtu edhe anëtare e kryesisë.

Shqipe Mjekiqi

Një tjetër grua e rëndësishme me një profil të shquar publik ishte edhe Mjekiqi. Edhe ajo do t’i bashkohej partisë së Abdixhikut pavarësisht që ishte shumë shumë larg pushtetit.

Mjekiqi më herët kishte studiuar shkenca politike në Dublin e në Londër derisa kishte shërbyer edhe në kabinetin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Ajo do të zgjidhej më pas nënkryetare e LDK-së.

Alban Zogaj

Të gjithë në Prishtinë e njihnin Alban Zogaj. Kishte studiuar në Straffordshire University në Britani të Madhe. E kishte doktoruar në Itali. Në vend, kishte shërbyer në një varg funksionesh të ndryshme, duke përfshirë edhe Bankën Qendrore të Kosovës.

39 vjeçari do të bëhej menjëherë një ndër figurat që do të simbolizonin LDK-në e re të Abdixhikut, ndoshta edhe për shkak se do të afrohej në parti menjëherë pas rezultatit dëshpërues.

Aktualisht Zogaj është nënkryetar i Komunës së Prishtinës, pasi kishte kryer funksionin e shefit të shtabit elektoral të Përparim Ramës më 2020. E tash, po mbërrijmë te ky i fundit.

Përparim Rama

Arkitekti i mirënjohur nga Prishtina që ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare bëri bujë të madhe kur u prezantua nga Lumir Abdixhiku si kandidati i LDK-së për Prishtinën.

Ai ia doli mbanë që të mposhte në zgjedhje një prej figurave kyçe të Vetëvendosjes dhe të bëhej kryetar i Prishtinës, duke e lënë partinë e Albin Kurtit në opozitë pas dy garash të fituara më 2013 dhe 2017.

Puna e tij si kryetar i Prishtinës po merr reagime të ndryshme, por megjithatë vlen të theksojmë që ai u pa gjerësisht si një model i ndryshëm i politikanit kosovar.

Doarsa Kica Xhelili

Bujën më të madhe e bëri pa asnjë dyshim deputetja Doarsa Kica Xhelili. Ajo u bashkua me partinë e Abdixhikut në vjeshtën e vitit të kaluar duke e braktisur grupin parlamentar të partisë në pushtet (Vetëvendosjes).

Të bashkohesh me një parti që i ka 12 për qind dhe ta lësh 50 përqindëshin? Kjo mund të jetë një prej hapave më domethënëse deri tash të bërë nga kreu i LDK-së.

Arsyet kryesore për largimin e Kica-Xhelilit nga LDK-ja ishin reformat në fushën e drejtësisë, fushë në të cilën ajo ka ekspertizë. Sipas saj, ministrja Albulena Haxhiu dhe i gjithë pushteti nuk po e trajtonin seriozisht një çështje të tillë. Seriozitetin për këtë fushë ajo e kishte parë te Abdixhiku.

Jehona Lushaku

Profesoresha universitare nuk ishte e panjohur për opinionin kosovar. Ajo ishte pjesë e studiove televizive dhe komentonte aktualitetin politik. Por, edhe Jehona do t’i bashkohej partisë së Abdixhikut duke dashur që – kushtimisht thënë – fjalët t’i kthente në vepra.

Lushakun do ta shihnim në vizitën e Abdixhikut në ShBA gjatë muajit shtator, duke u portretuar kësisoji si një tjetër figurë e lidhur me LDK-në e reformuar.

Visar Azemi

Kriza e energjisë dhe mënyra se si Qeveria Kurti është marrë me të ka qenë një prej temave kryesore në diskursin e Lumir Abdixhikut dhe partisë së tij.

Ardhja e ekspertit të kësaj fushe, Visar Azemit, u pa si përpjekje për të rritur intensitetin e kritikës dhe zgjerimin e alternativës në këtë çështje.

Azemit më pas i ishte besuar edhe pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Ferizaj.

Lajme të ngjashme