Eksperti i energjisë kaloi në LDK: Pse kjo mund ta bëjë dimrin të acartë për VV-në, e të nxehtë për Abdixhikun?
Tashmë është zyrtare, LDK-së i është bashkuar edhe aktivisti i shoqërisë civile Visar Azemi. Por, kush është Azemi? Dhe pse kjo rëndësi veçanërisht për debatet politike që do të zhvillohen mbi njërën nga krizat kryesore me të cilat po përballet Kosova.
Para Azemit, LDK-së i ishte bashkuar deputetja Doarsa Kica Xhelili që kishte qenë deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo kishte qenë e pakënaqur me mënyrën se si pushteti po merrej me reformat në fushën e drejtësisë, veçanërisht me Vetingun dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë.
Dhe, Doarsa ishte e pranishme edhe sot me rastin e zyrtarizimit të Azemit në Lidhjen Demokratike.
"Ardhja e Visarit në LDK për ne është vlerë. Ai bëhet pjesë e profesionistëve më të mirë të vendit që zgjedhin të lënë komfortin jetësor për angazhim vullnetar politik." - ka thënë z. Abdixhiku duke e prezantuar Azemin.
Por, kush është Visar Azemi?
Visar Azemi ishte aktivist shumë i rëndësishëm i shoqërisë civile në vendin tonë, dhe i cili ka punuar edhe jashtë vendit. Ai shërben si Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Ballkanin e Gjelbër dhe është ekspert i fushës së energjisë.
Ekspertiza e tij në sektorin e energjisë është e rëndësishme veçanërisht tash në kohën e krizës energjetike që po rrezikon vendin tonë këtë dimër.
LDK ka qenë mjaft e fokusuar në mënyrën se si e ka përballuar Qeveria Kurti II një krizë të tillë, dhe madje ka dhënë edhe alternativën e saj për këtë çështje.
Azemi pritet të jetë një aset i rëndësishëm për këtë parti, marrë parasysh këto rrethana. Ai ka qenë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës edhe gjatë kohës sa ishte pjesë e shoqërisë civile.
Në një intervistë për të publikuar në Ministrinë Gjermane të Punëve Ekonomike dhe Veprimit Klimatik (të realizuar nga Iniciativa Klimatike Evropiane – EUKI) ai konsideronte që institucionet qeveritare nuk kishin ndërmarrë veprimet praktike për të përballuar krizën.
“Vendi ynë varet në prodhimin e energjisë që vjen nga termocentralet e linjitit e të cilat e kanë tejkaluar jetëgjatësinë e tyre dhe janë ndotës të mëdhenj. Fakti është që kapaciteti bazë i prodhimit dhe kërkesa në kulmin e saj për energji (nga konsumatorët) janë në shpërputhje, dhe kësisoji nuk po prodhojmë mjaftueshëm energji për të përmbushur nevojat. Gjatë dimrit, konsumi dyfishohet... Institucionet qeveritare nuk kanë propozuar ndonjë hap praktik për t’u ballafaquar me krizën energjetike, e as nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje të prekshme për energjinë termale. Kësisoji, me çmimet e energjisë që rriten, ne presim një dimër të ashpër.”
Argumentet e z. Azemi mund të dalin shumë të rëndësishme në debatet parlamentare dhe joparlamentare mes LDK-së dhe Vetëvendosjes gjatë periudhës së vështirë të dimrit. Kjo mund ta bëjë dallimin me pushtetin, dhe mund t'ia bëjë dimrin 'më të butë' Lumir Abdixhikut por shumë të vështirë Albin Kurtit.
Edhe Marrëveshja
Azemi ka qenë aktiv në rrjete sociale duke komentuar Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë gjatë gjithë verës, prej që ajo u nënshkrua nga Zv. Kryeministri Besnik Bislimi më 21 qershor.
“Tash pas licencimit të Elektroseverit, kisha dashtë me e ditë ku ka me u furnizu me energji elektrike? A është Ujmani pjesë e kësaj ujdie për me i dhënë energji Elektroseverit?” - kishte pyetur ai më 24 qershor.
Ndërkohë, pas arritjes së marrëveshjes gojore për dokumentet e udhëtimit, ai kishte komentuar kësisoji me shqetësim.
“Edhe për energjinë u patën marrë vesh, por nuk u zbatuar asnjëherë!”
Operatori serb Elektrosever nuk do të respektonte afatin prej 100 ditësh për plotësimin e kushteve që dilnin nga Udhërrëfyesi. Kjo kishte bërë që licenca e saj të ishte në rrezik, çka kishte çuar në një angazhim shtesë nga ana e ndërmjetësit Mirosllav Lajçak dhe përfundimisht në arritjen e një marrëveshjeje të re e cila deri më tash nuk është publikuar!

