Miratohet ligji i fushatës së 'begatisë' së Kurtit, por çmimet tavan "u ndihmojnë qytetarëve aq sa tash me çmimet e naftës"
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Bazë në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Ligji kaloi me 63 vota për.
Asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim nuk u regjistrua.
Opozita, megjithatë, nuk mori pjesë fare në votim, duke e kundërshtuar projektligjin duke u nisur prej në parim.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë ngritur shqetësime për kushtetutshmërinë, efektivitetin dhe qartësinë e ligjit.
Projektligji u rikthye në Kuvend gati tri vite pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e mëparshlm.
Vendimi i vitit 2023 e kishte shpallur atë “tërësisht të pavlefshëm”.
Gjykata Kushtetuese kishte theksuar se “ndërhyrjet në treg mund të bëhen vetëm nga një organ i pavarur”.
Po ashtu, kishte konstatuar mungesë të sigurisë juridike.
Qeveria tash pretendon se drafti i ri i ka përmirësuar antikushtetuetshmëritë.
Neni 8 parashikon krijimin e një Bordi të Pavarur për rregullimin e çmimeve.
Ky bord, me pesë anëtarë, do të ketë kompetencë të caktojë marzha tregtare dhe çmime maksimale.
Emërimi bëhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kritikon mungesën e definimeve të qarta në ligj.
“Po i lihet një bordi prej pesë vetëve, me e përcaktu çka është e paarsyeshme,” tha ai.
Sipas tij, ligji nuk ofron metodologji për këtë vlerësim, por u lihet atyre “pesë vetëve.”
Mustafa paralajmëron se një qasje e tillë krijon hapësirë për vendimmarrje arbitrare, sepse, argumenton ai, “nuk mund t’u lihet pesë personave të zhvillojnë një metodologji,” shtoi ai.
Ai u referua shembujve, pa efekt, të ndërhyrjeve në krizëm me çmimet e naftës të cilat “ka(në) mbërri në 2 euro… dhe aq ke me mbrojtë edhe nga rritja e çmimit në produkte tjera.”
Kritika të së njëjtës natyrë pati edhe Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, e cila tha se problemi nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre.
“Ligjet nuk po mund t’i implementojë qeveria… dhe çka po bëni? Po sillni ligje të tjera,” deklaroi ajo.
Sipas Bajramit, institucionet ekzistuese kanë kompetencë për të ndërhyrë në çmime kur ka destabilizim.
“Autoriteti i Konkurrencës… që nuk e ka kry asnjë punë,” tha ajo.
Ajo përmendi rritje të çmimeve në sektorë ku veçse ka rregullim, dhe se çfarë ka qenë “rregullimi” i tyre krahas rritjes.
“Kemi rregullator dhe kemi rritje të çmimeve,” theksoi Bajrami.
Sipas saj, energjia elektrike është rritur deri në 114% në një fazë, ndërsa tarifat e ujit janë rritur për 40%.
Ajo këtu ngriti pyetje mbi kriteret e ndërhyrjes.
“A është ky destabilizim… apo ka me i mbetë atij Bordi Imagjinar?” pyeti Bajrami.
Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti e quan projektligjin problematik.
“Ky ligj është fund e krye antikushtetues,” deklaroi ai.
Hoti thotë se ligji “nuk definon asgjë” dhe krijon diskrecion të gjerë për zyrtarët.
Ai kërkon definim të qartë të “destabilizimit të tregut”.
“Sa duhet me deviju çmimet… që të konstatojmë destabilizim?” pyeti ai në seancë.
Ai ngriti edhe çështjen e burimeve të të dhënave.
“Ku ke me i marrë të dhanat për me i llogaritë kostot?” shtoi Hoti.
Nga ana tjetër, Bedri Hamza i PDK-së, javë më prej problemin e shihte në realitetin ekonomik.
“Nuk jemi kundër mbrojtjes së qytetarëve, por duhet të jemi real,” tha ai.
Sipas tij, faktorë si energjia, puna dhe tatimet ndikojnë drejtpërdrejt në çmime.
Në këtë kontekst, ulja e tyre përmes ligjit është e kufizuar.
“Është e pamundur me thënë që çmimi i produkteve bazë do të zvogëlohet,” deklaroi Hamza.
“Nuk mund ta detyrosh një biznes me punu me humbje,” tha ai.
Nëse kufizimi bëhet i paqëndrueshëm, bizneset mund të tërhiqen.
“Nuk e tregton një artikull fare,” paralajmëroi Hamza.
Projektligji synon të ndërhyjë vetëm në raste të “ngritjes së menjëhershme dhe të paarsyeshme” të çmimeve.
Lista e produkteve përfshin artikuj bazë si buka, qumështi, vaji, mishi dhe produktet e higjienës. Masat janë të përkohshme.
Ligji parashikon edhe gjoba deri në 20 mijë euro për shkelësit.
Në raste të përsëritura, bizneset mund të mbyllen deri në 30 ditë.
Megjithatë, çështja e përplasjes me ligje ekzistuese, siç kishte konstatuar Gjykata Kushtetutuese, mbetet e hapur.
Drafti i ri nuk shfuqizon qartë nenet problematike të ligjeve të tjera.