Ministria e Rozeta Hajdarit si “stacion i policisë”: Për një javë, hetuesit ia zunë derën dy herë
Ministria e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësië ka qenë në qendër të vëmendjes për tash e një kohë. Fillimisht për certifikatën e Klan Kosovës, e më pas për aferën gruri e vaji për të cilat raportoi ekskluzivisht gazeta Nacionale.
E përveç në qendër të vëmendjes së publikut, ministria që e drejton Rozeta Hajdari po del se është në qendër të vëmendjes edhe për hetuesit. Madje, prezenca e hetuesve në MINT tashmë është kthyer në normalitet.

Për një javë, hetuesit e Policisë së Kosovës kanë zbarkuar dy herë në këtë ministri. Herën e parë për të marrë në pyetje zyrtarë të ndryshëm të përfshirë në aferën e vajit dhe grurit, dhe para dy ditësh shkuan lidhur me artefaktet e Hyjneshës në Fron që ishin lënë në Dubai.
Hetuesit 1
Me datën 1 gusht, hetuesit e Krimeve Ekonomike zbarkuan në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ata kanë intervistuar disa zyrtarë të rezervave shtetërore lidhur me skandalin e vajit dhe grurit. Nacionale kishte publikuar përgjime të cilat dëshmojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk kishte ardhur. Në anën tjetër, disa tonë grurë mungonin.
Për 2 orë me radhë hetuesit kishin qëndruar në ambientet e kësaj ministrie. Nacionale kishte mësuar se njëri nga të intervistuarit ishte edhe Hafiz Gara, Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore.
Nacionale kishte publikuar një përgjim në të cilin dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për aferën vaji. Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, një të afërm të kryeministrit Albin Kurti të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.
Kompania polake prej të cilës ishte blerë vaji për Rezervën Shtetërore i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë quhej Xanto dhe ajo nuk ishte lajmëruar më. Veprimtaria e kësaj kompanie ishte "krejt diçka tjetër", tregonte gazetari Berat Buzhala në përgjimin e lëshuar.
“Ti ministre qat kontratë e ke nënshkru, kqyr se qajo firmë s’ti pru,” - thuhet në një pjesë të audioincizimit të publikuar nga gazeta Nacionale.
Në anën tjetër, ministrja e Tregtisë nuk ka dhënë asnjë detaj nëse vaji e gruri kanë ardhur me arsyetimin se është konfidenciale. Kurse, ajo ka drejtuar padi ndaj gazetës Nacionale dhe gazetarit Buzhala lidhur me këto incizime, pa dhënë asnjë arsyetim mbi çfarë baze e ka drejtuar këtë padi.
Hetuesit 2
Vetën para dy ditësh, hetuesit e Policisë së Kosovës ia zunë derën sërish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Për rreth shtatë muaj, artefaktet e Kosovës që u prezantuan në “Expo Dubai” nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, qëndruan në një depo ushqimore atje. Nacionale mëson se ndonëse aktiviteti përfundoi më 31 mars të vitit 2022, të njëjtat mbetën nëpër depo deri më 31 tetor të vitit 2022. Mes tyre, ndodhej edhe “Hyjnesha në Fron”.
Pikërsht për një vonesë të tillë, Policia e Kosovës qëndroi pardje në dikasterin e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, mëson Nacionale.
Nacionale mëson se dërgimi i artefakteve, duke përfshirë “Hyjneshën në Fron”, në Dubai u bë pa u respektuar procedurat dhe pa ndonjë vendimmarrje qeveritare. Pas ekspozimit atje, dhe pas përfundimit të aktivitetit më datë 31 mars 2022, artefaktet e Kosovës mbetën në një depo ushqimore për shtatë muaj, pra deri më 31 tetor 2022.
Nacionale e ka siguruar edhe dokumentin që konfirmon se artefaktet u kthyen në Kosovë vetëm pas shtatë muajsh përmes aeroportit të Shkupit.
Po ashtu, Nacionale ka siguruar edhe pamje nga depoja ku po mbaheshin këto artefakte, ku shihet një numër i madh pakosh.
Pikërisht kjo, është edhe arsyeja se pse policia sot qëndroi në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pasi që një vonesë e tillë është duke u hetuar.
Ndërkohë, burimet tona bëjnë me dije se rreth lëvizjes së artefakteve nuk ishte marrë asnjë vendim në Qeverinë e Kosovës.
Ndërkaq, udhëzimi administrativ për standardet teknike dhe profesionale për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së luajtshme kulturore rregullon qartë procedurat në lidhje me lëvizjen e tyre.
Në nenin 7 të udhëzimit tregohen kushtet që duhet të plotësohen kur koleksionet duhet të transportohen në destinacione të gjata.

