I lanë artefaktet e shtetit në depo ushqimi në Dubai për 7 muaj: Policia trokiti në dyert e ministrisë së Rozetës
Për rreth shtatë muaj, artefaktet e Kosovës që u prezantuan në “Expo Dubai” nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, qëndruan në një depo ushqimore atje. Nacionale mëson se ndonëse aktiviteti përfundoi më 31 mars të vitit 2022, të njëjtat mbetën nëpër depo deri më 31 tetor të vitit 2022. Mes tyre, ndodhej edhe “Hyjnesha në Fron”. Pikërsht për një vonesë të tillë, Policia e Kosovës qëndroi sot në dikasterin e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, mëson Nacionale.
Për artefaktet është folur edhe më herët, të njëjtat u dërguan në “Expo Dubai”, por mbetën atje edhe për një periudhë shumë të gjatë, edhe pas përfundimit.
Nacionale mëson se dërgimi i artefakteve, duke përfshirë “Hyjneshën në Fron”, në Dubai u bë pa u respektuar procedurat dhe pa ndonjë vendimmarrje qeveritare. Pas ekspozimit atje, dhe pas përfundimit të aktivitetit më datë 31 mars 2022, artefaktet e Kosovës mbetën në një depo ushqimore për shtatë muaj, pra deri më 31 tetor 2022.
Nacionale e ka siguruar edhe dokumentin që konfirmon se artefaktet u kthyen në Kosovë vetëm pas shtatë muajsh përmes aeroportit të Shkupit.
Në dokument, theksohet qartë edhe arritja e tyre me këtë datë, rreth orës 08:48.
Po ashtu, Nacionale ka siguruar edhe pamje nga depoja ku po mbaheshin këto artefakte, ku shihet një numër i madh pakosh.




Pikërisht kjo, është edhe arsyeja se pse policia sot qëndroi në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pasi që një vonesë e tillë është duke u hetuar.
Ndërkohë, burimet tona bëjnë me dije se rreth lëvizjes së artefakteve nuk ishte marrë asnjë vendim në Qeverinë e Kosovës.
Ndërkaq, udhëzimi administrativ për standardet teknike dhe profesionale për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së luajtshme kulturore rregullon qartë procedurat në lidhje me lëvizjen e tyre.
Në nenin 7 të udhëzimit tregohen kushtet që duhet të plotësohen kur koleksionet duhet të transportohen në destinacione të gjata.
“1. Rreziku i dëmtimit të koleksioneve dhe objekteve individuale rritet kur ato lëvizin në distanca të mëdha. Ato mund të dëmtohen nga: dridhjet, veçanërisht nga dridhjet gjatë ngarkimit dhe shkarkimit nga mjetet e transportit, luhatjet ekstreme të temperaturës dhe LR-së, rrezatimi UV, drita dhe ndotja. Prandaj, nëse koleksionet dhe objektet duhet transportuar ato duhet të mbrohen nga faktorët e lartpërmendur.” - thuhet në këtë nën. Kurse në nenin 2 të këtij udhëzimin tregohet në detaje se si duhet të bëhet përgatitja për transport. “Çdo herë, pasi që të merret vendimi që objekti mund të transportohet duhet të sigurohet informacioni i plotë mbi: 2.1.1. Destinacionin dhe kohën e lëvizjes së objektit; 2.1.2. Nëse duhet të shoqërohet nga një kurator gjatë udhëtimit në të dy drejtimet; 2.1.3. Personi/at që do të marrë/in përgjegjësinë për objektin derisa ndodhet në destinacionin tjetër; 2.1.4. Çfarë kushte mjedisore zotërojnë në destinacionin/et; 2.1.5. Si do të trasportohet (e rëndësishme për sistemin e paketimit); 2.1.6. Sigurimi dhe mjetet financiare.” - thuhet në këtë nen.
Nëni 7, pika 2.1 thekson se:
“Para se të transportohet një objekt është e rëndësishme që fillimisht të përcaktohet aftësia e tij për t’i bërë ballë masave të rrepta të udhëtimit. Duhet pasur konsideratë se disa prej objekteve janë shumë të brishta për t’u transportuar”.
Çdo herë, pasi të merret vendimi, sipas udhëzimit administrati duhet të sigurohen informacione mbi njëbazë kriteresh si destinacioni dhe koha e lëvizjes, personi që do të marrë përgjegjegjësinë, kushtet mjedisore, etj.
Vlen të theksohet, se në maj të këtij viti, ministres Hajdari i ishte përmendur kjo çështje edhe në Kuvendin e Kosovës, duke iu kërkuar llogari rreth vendndodhjes së tyre.
Por ministrja, kishte pretenduar se artefaktet nuk ndodheshin në depo.
“Ato nuk kanë qenë në depo, por kanë qenë te shteti nikoqir dhe janë angazhuar edhe ambasada e Republikës së Kosovës." - kishte thënë ajo.