Ministria e Mbrojtjes i reagon Nacionales, por fjalët e ministrit demantojnë reagimin - NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes i reagon Nacionales, por fjalët e ministrit demantojnë reagimin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës Nacionale, i cili flet për fillimin procedurave të procesit për blerjen e raketave “Javelin” nga ShBA-ja.

Në reagimin e saj, MM-ja pretendon se gazeta ka shtrembëruar deklaratën e ministrit Maqedonci, por kjo gjë nuk është e vërtetë.

Gazeta ka cituar ministrin ashtu siç ka thënë gjatë një intervistës për televizionin TËVË1.

Ministri aty tregon se procedura për pajisjen e FSK-së me këtë lloj armatimi kishte nisur qysh në kohen e Qeverisë Haradinaj.

Ministri Maqedonci përmend edhe letrën që ish-kryeministri Ramush Haradinaj ia kishte nisur ish-sekretarit amerikan për Departamentin e Shtetit, Mike Pompeot, ku flitej pikërisht për raketat “Javelin”.

“Qysh në vitin 2019, janë identfikuar nevojat operacionale të FSK-së. Kodi FMS është hapur gjatë Qeverisë Kurti 1, më saktësisht në prill të vitit 2020, por është iniciuar më herët me një letër që është dërguar nga ish-kryeministri Haradinaj për Departamentin e Shtetit edhe pas hapjes së kodit në prill të vitit 2020 janë adresuar kërkesat jo vetëm për sistemin “Javelin” por për të gjitha sistemet tjera dhe e gjitha ka kulmuar në këtë tre vjeçar me buxhet shtesë. E gjithë rritja e blerjeve ushtarake është në këto tri vjet”, ka thënë Maqedonci në këtë intervistë.

Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes nuk e përmend fare letrën e ish-kryeministrit Haradinaj.

Sipas reagimit të ministrisë, gjithçka rreth këtij procesi ka filluar me ardhjen e Kurtit në pushtet.

“Në artikullin e bashkëngjitur të gazetës "Nacionale" thuhet se në një intervistë për televizionin TËVË1, ministri Maqedonci ka thënë se kërkesa për Javeline është dërguar gjatë qeverisjes Haradinaj, një gjë e e tillë është e pavërtetë. Ministri gjatë intervistës thotë se në vitin 2020 është hapur kodi për mundësi të blerjes përmes programit FMS (Foreign Military Sale), ndërsa kërkesa për sisteme të armatimeve është bërë gjatë mandatit të qeverisjes Kurti pas rritjes enorme të buxhetit të ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes gjë që ka mundësuar blerjen e sistemeve më moderne të armatimeve duke përfshirë sistemin raketor Javeline, kërkesa për të cilën është pranuar nga Departamenti i Shtetit më 24 janar 2024. Lajme të tilla të cilat shtrembërojnë deklaratat publike të krerëve institucional përbëjnë shqetësim. Faktet pavarësisht tendencave nuk pushojnë së ekzistuari, nga 3.6 milionë sa ishte investuar gjatë viteve 2018-2020, në periudhën ndërmjet 2021-2023 është investuar mbi 230 milionë euro me qëllim ngritjen e kapaciteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe garantimit të përmbushjes së misionit të saj kushtetues”, është thënë në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes demantohen edhe nga letra që Haradinaj, ia ka dërguar Mike Pompeot, e cila sot është publikuar nga Lulëzim Blaka, zëdhënësi i AAK-së.

Lajme të ngjashme