Ministri serb i Mbrojtjes e quan gënjeshtër dokumentin e Pentagonit se Serbia ka furnizuar me armë Ukrainën
Ministri i Mbrojtes së Serbisë, Millosh Vuçeviq ka thënë se është gënjeshtër se Serbia është pajtuar që ta furnizojë Ukrainën me armë në luftën kundër Rusisë.
Vuçeviq e ka quajtur gënjeshtër dhe se qëllimi i këtij informacioni është destabilizimi i Serbisë.
"Për të njëtën herë është publikuar një gënjeshtër se Serbia po i shet armë Ukrainës. Qëllimi i dikujt është padyshim që të destabilizojë vendin tonë dhe ta tërheqë atë në një konflikt në të cilin ne nuk do të marrim pjesë.” – ka thënë ministri serb i Mbrojtjes.
“Ne i kemi mohuar këto gënjeshtra më shumë se dhjetë herë dhe ja ku jemi, do ta bëjmë përsëri. Serbia nuk ka, as nuk do t'i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as vendeve që e rrethojnë atë konflikt. “Qëllimi i dikujt është padyshim që ta tërheqë Serbinë në atë konflikt, por ne i qëndrojmë vazhdimisht politikës sonë të vendosur." - ka thënë Vuçeviç për Sputnik, përndryshe një media shtetërore ruse.
Serbia, i vetmi vend evropian që refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, ka rënë dakord të furnizojë Kievin me armë ose ka dërguar tashmë armë , sipas një dokumenti konfidencial të Pentagonit, raporton Reuters.
Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, thuhet se Serbia ka refuzuar që t’u ofrojë trajnim forcave ukrainase, por është zotuar për dërgimin e ndihmës vdekjeprurëse ose e ka dhënë atë tashmë.
Në dokument thuhet, gjithashtu, se Serbia kishte vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
