Dokumenti sekret amerikan: Serbia është pajtuar t’i japë armë Ukrainës – ose tashmë i ka dhënë
Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë, është pajtuar që ta furnizojë Ukrainën me armë ose tashmë ka dërguar armatim atje, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit.
Dokumenti, i cili është përmbledhje e reagimeve të qeverive evropiane ndaj kërkesës së Ukrainës për trajnim ushtarak dhe “ndihmë vdekjeprurëse” ose armë, është në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara që janë publikuar në internet në javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vitet e fundit, raporton gazeta “The Guardian”.
Në dokumentin me titull “Reagimi ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi – Ukrainë” radhiten “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane ndaj kërkesës së Ukrainës për asistencë ushtarake.
Aty tregohet se Serbia ka refuzuar që t’u ofrojë trajnim forcave ukrainase, por është zotuar për dërgimin e ndihmës vdekjeprurëse ose e ka dhënë atë tashmë.
Në dokument thuhet, gjithashtu, se Serbia kishte vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
