Ministri Rashiq pyetet nëse është gati ta udhëheqë "ekipin e ri menaxhues": Do të flas me Kurtin, nëse e kërkon
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq së fundi është pyetur nëse është gati ta udhëheq një grup, si Ekipi Menaxhues, që do të propozonte diçka të re rreth Asociacionit. Në këtë rast, ai është shprehur i gatshëm të flasë me kryeministrin, megjithëse thotë se një gjë e tillë s’është diskutuar deri më tani.
Në një paraqitje të tij në “Tëvë1”, një prej pyetjeve që iu shtrua, ishte edhe kjo: “A jeni të gatshëm të udhëheqni një grup që do të propozonte diçka të re (rreth Asociacionit)?”.
Do të flas me kryeministrin, nëse ma kërkon
Ministri Rashiq nuk e mohoj se mund të marrë një përgjegjësi të tillë nëse i kërkohet, por shtoi se ende nuk është diskutuar një gjë e tillë.
“Është e vështirë, po flas për këtë pyetjen e dytë, me të vërtetë nuk është kaq e lehtë. Unë kam thënë në përgjithëse, mendoj që kjo mund të jetë një proces që prodhon rezultate, që ta shkurtoj, që të jem i sinqertë. Nëse secili prej nesh bën nga një grup, por nuk kemi folë ende për këtë. Do të flas me kryeministrin atëherë, nëse ma kërkon.” – u shpreh ai.
Tutje, Rashiq deklaroi si vijon: “Reagimi i ambasadorit britanik ka qenë i pritshëm, kur dërgohet statute çfarëdo që është, mendoj që reagimi i radhës është përgatitja e një statute tjetër. Unë vet kam thënë, jam i sigurtë që do të jemi inovativë dhe do të kemi propozime të reja...Prandaj nuk po mohoj siç keni thënë ju, por siç thotë fjala popullore, jo me dëshirë. Me siguri do të flas me kryeministrin lidhur me këtë".
Thirrja e ambasadorit britanik
Gjatë ditës, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott u shpreh se tash është koha që Kosova ta propozojë formalisht draft-statutin për Asociacionin.
Përmes një shkrimi në Facebook, Abbott ka thënë se ky draft-statut duhet të bëhet duke u mbështetur në vizionin e kryeministri, Albin Kurti, të cilin e ka paraqitur më 2 maj në takimin në Bruksel.
Abbott tutje thotë se krejt vizitat e zyrtarëve të huaj në Kosovë po bëhen për shkak se aleatët po dëshirojnë të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Në këtë javë do të ketë shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, përfshirë drejtorin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Aleatët e Kosovës duan që të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Prandaj, tani është koha që Kosova të propozojë formalisht një draft-statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, duke e shfrytëzuar si themel vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në vijë me kriteret e përcaktuara nga BE-ja.” – u shpreh ai.
Në takimi më 2 maj, Ekipi Menaxhues kishte prezantuar draf-statutin për Asociacionin.
Ky draft-statut ishte kundërshtuar nga Kurti duke thënë se propozim ishte kundërkushtetues.
Në anën tjetër, ai prezantoi një vizion rreth Asociacionit, i cili përbëhet nga 10 pika.
Ky vizion sipas Kurtit është frymëzuar nga modeli kroat dhe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me letrën e ish-ndërmjetëses Federica Mogherini dhe qëndrimet e SHBA-së.
Vizioni i Kurtit thotë se Asocacioni duhet "të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë; Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit".


