"Por, ka edhe shumë modele tjera": A e mbështeti përnjëmend ministri kroat modelin kroat për Asociacionin në Kosovë? - NACIONALE

"Por, ka edhe shumë modele tjera": A e mbështeti përnjëmend ministri kroat modelin kroat për Asociacionin në Kosovë?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka prezantuar në Bruksel një draft-vizion të Asociacionit që sipas tij është i frymëzuar “në modelin kroat”. Për këtë model foli sot edhe ministri i jashtëm kroat në takim me homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvallën. Çka është e rëndësishme të kuptohet këtu?

Gordan Gërlliq Radman pas takimit me Gërvallën foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shumica e titujve të gazetave në Kosovë tregojnë se si kryediplomati kroat ka thënë që Kosova mund ta marrë modelin kroat si shembull për pakicat.

Një gjë të tillë edhe e tha, por megjithatë u shpreh më gjatë se kaq.

Ai u shpreh se modeli kroat kishte rezultuar me sukses dhe se ishte i lumtur që Kroacia po merrej si model. Megjithatë, në shumë raste ai ka shprehur fjali të cilat shprehin në një mënyrë të caktuar edhe rezerva për një gjë të tillë.

“Kur flasim për modelin kroat, mund të flasim që ky model është promovuar përmes Ligjit, Kushtetutës për të drejtat e pakicave dhe ndoshta mund të shërbejë si model,”

Megjithatë, edhe më ‘hezituese’ është fjalia e mëposhtme:

“Ky model ka rezultuar me sukses, por ekzistojnë modele të shumta në botë, por sa mund të përshtatet varet edhe nga shtetet.”

Gërlliq Radman pati edhe një tjetër fjali që mund të lexohet si jo fort inkurajuese:

“... për të gjithë ata që dëshirojnë, ekzistojnë shumë (modele) të tjerë. Ne mbështesim çdo reszultat dhe marrëveshje që është rezultat i dakordimit.”

A është kjo mbështetje nga Kroacia që Kosova ta zbatojë modelin kroat? Vështirë të thuhet.

Çka kanë thënë të tjerët?

Eksperti kroat për çështje të Ballkanit, Davor Gjenero, i kishte folur Nacionales në lidhje me këtë model.

Ai kishte deklaruar se ky model “ishte ideal” meqë situata në Kosovë dhe Kroaci me pakicën etnike serbe ishte e njëjtë.

“Këto komuna përmes Këshillit të Përbashkët Komunal munden që në njërën anë të gjejnë financimet për projektet e përbashkëta dhe në anën tjetër përmes atij institucioni munden që në mënyrë direkte të komunikojnë me Serbinë pa ndonjë lloj ndikimi kroat në atë projekt,” - na kishte thënë ai.

Por, ekspertja për çështje të Ballkanit në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, kishte pasur mendim tjetër.

Ajo i kishte thënë Nacionales se nuk e kuptonte frymëzimin që i vinte Kurtit nga ky model.

“Shumica e serbëve në Kroaci tash jetojnë në qytete të mëdha si Zagrebi dhe Rjeka dhe kanë pasur 11 komuna në mes të Kroacisë në rajonin e Knin-it. Kanë pasur shumicë para luftës dhe gjatë Republikës Serbe të Krajinës. Por, s’kanë më shumicë, dhe prej 12 për qind të serbëve që jetonin në Kroaci para 1991’ës, tash kanë mbetur vetëm 4 për qind. Prandaj, u befasova të dëgjoj për model kroat. Serbët nga aty janë përzënë. Si u quajt atëherë Kushtetuta e Krishtlindjes në Kroaci, nuk i përmendën fare serbët, duke i bërë një pakicë siç janë të gjitha pakicat tjera në Kroaci. Andaj edhe nuk jam shumë e sigurt se çfarë ka paramenduar Albin Kurti. Nuk e kam të qartë,” - tha znj. Tromp.

Kujtojmë se emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e ka quajtur "pikënisje të mirë" draft-statutin e prezantuar nga ana e Ekipit Menaxhues që kryesohej nga Danijela Vujiçiq, deputete në Kuvendin e Serbisë.

Lajme të ngjashme