Tromp nuk sheh krahasim mes serbëve në veri dhe atyre në Kroaci: Modeli kroat i Kurtit i pakuptueshëm - NACIONALE

Tromp nuk sheh krahasim mes serbëve në veri dhe atyre në Kroaci: Modeli kroat i Kurtit i pakuptueshëm

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

“Modelin kroat” që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e paraqiti në Bruksel si “draft-Vizion” në kundërpeshë të Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe të hartuar nga Ekipi Menaxhues, profesoresha në Universitetin e Amsterdamit dhe ekspertja për çështje të Ballkanit, Nevenka Tromp, e ka tejet të vështirë ta kuptojë. Madje ajo thotë se i ka shkaktuar edhe konfuzion. “Ju e dini që kroatët thjesht e bënë në mënyrën e tyre”, thotë Tromp në një bisedë me Nacionalen, duke rikujtuar se në kohën e para dhe pas luftës në Kroaci nuk kishte mbetur më një pakicë serbe në formën e një enklave ku kishte komuna me shumicë serbe siç ishin në të ashtuquajturën “Republikë Serbe e Krajinës”. Prandaj thotë ajo, “nuk jam e sigurt që ka mënyrë kroate sepse nuk ka ndonjë rajon autonom ku serbët do të mund të ushtronin vetëqeverisje pas luftës”.

Shumica e serbëve në Kroaci tash jetojnë në qytete të mëdha si Zagrebi dhe Rjeka dhe kanë pasur 11 komuna në mes të Kroacisë në rajonin e Knin-it. Kanë pasur shumicë para luftës dhe gjatë Republikës Serbe të Krajinës. Por, s’kanë më shumicë, dhe prej 12 për qind të serbëve që jetonin në Kroaci para 1991’ës, tash kanë mbetur vetëm 4 për qind. Prandaj, u befasova të dëgjoj për model kroat. Serbët nga aty janë përzënë. Si u quajt atëherë Kushtetuta e Krishtlindjes në Kroaci, nuk i përmendën fare serbët, duke i bërë një pakicë siç janë të gjitha pakicat tjera në Kroaci. Andaj edhe nuk jam shumë e sigurt se çfarë ka paramenduar Albin Kurti. Nuk e kam të qartë”, thotë Nevenka Tromp.

Duke provuar të shohë analogji ndërmjet pakicës serbe në Kosovë dhe asaj në Kroaci, të para luftës dhe të asaj të sotme, Tromp vështirë se mund të shohë diçka të tillë. “Në Kroaci nuk ka asnjë vend me koncentrim aq të madh, të themi enklavë brenda Kroacisë me pakicë serbe si në veri të Kosovës që janë mbi 90%”. Andaj, në këtë aspekt, ajo thotë se “është krejtësisht e pakrahasueshme” dhe se tashmë serbët jetojnë në qytetet e mëdha kroate.

Nëse Kryeministri Kurti thotë se modeli kroat është më i miri, nuk shoh analogji me situatën në Kroaci pas 1995. Sepse në Kroaci nuk ka pasur kurrë një rajon të mbetur në formën që do t’i ngjante as fare pak veriut të Kosovës, ku serbët e Kroacisë do të ishin quajtur shumicë aty dhe të formojnë enklavë”.

Drafti anti-kushtetues...

Drafti-Statuti që u paraqit në Bruksel, sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte në themel anti-kushtetues dhe pasqyronte “dëshirë të zjarrtë” për një Republikë Serbe në Kosovë. Tromp e ka të qartë se nuk është e thënë të pranohet modeli serb “thjesht ashtu” por jo edhe gjithçka të hiqet nga tryeza “thjesht ashtu”.

Duhet të dini që kur Kosova të futet në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të ketë shumë kapituj për t’i kryer, dhe njëra është të drejtat e pakicave. Çfarëdo që Kosova do të jetë duke bërë për proceset integrues, një nga kritikeret e Kopenhagës, do të jetë trajtimi i minoriteteve. Kemi shumë raste, si p.sh Sllovakia me trajtimin e romëve, u desh të futet në këtë proces të amandamentojë ligjet. Për të hequr çfarëdo dyshimi për diskrimini të çfarëdo lloji. Po Kushtetuta e një vendi është shumë e rëndësishme, por në të njëjtën kohë edhe sfidat politike janë nganjëherë aq të ndërlikuara dhe nuk mund të reflektohet në zgjidhje përmes dokumenteve ekzistuese”.

Gjërat nuk mund të heqen ashtu nga tryeza duke thënë thjesht ashtu se ‘janë antikushtetuese’. Zgjidhjet politike do të duhet të gjenden dhe për Kosovën është shumë e rëndësishme se në cilënd fazë të negociatave të dëshmojnë interesin e qartë se janë të përkushtuar për të zgjidhur njëherë e mirë këtë çështjen e vetëqeverisjes dhe jo për të gjetur e të përdorur çfarëdo pengese për t’u çangazhuar nga procesi. Nuk do të thotë se modeli serb thjesht duhet pranuar ashtu siç paraqitet”, thotë Tromp për Nacionalen.

Në lidhje me atë që Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, thotë se duhet të gjendjen një mes mes dy vizionev të palëve, edhe këtu Tromp shprehet skeptike. “Nuk mendoj se gjetja e një ‘mesi’ mjafton, duhet të gjendjen zgjidhja në nivelin më të lartë të zhvillimin që kemi në Evropë, vetëqeverisje nëpër territore ku ka pakica kombëtare ka dhe ne kemi parë që funksionojnë. Kjo është më e rëndësishme se ‘mesi’. Duhet të flasim për modelet më të arritura”, përfundon Tromp./Nacionale/

Lajme të ngjashme