Mimoza Kusari-Lila tregon se si u sulmua me vezë kryeministri i saj: “Ishte një moment surreal” - NACIONALE

Mimoza Kusari-Lila tregon se si u sulmua me vezë kryeministri i saj: “Ishte një moment surreal”

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetja, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe situatën e krijuar në Kuvend, duke kritikuar veprimet e opozitës.

Edhe pse tashmë është betuar si deputete, Kusari-Lila e ka cilësuar Albin Kurtin si kryeministër, ndërsa ka thënë se momenti i sulmit me vezë ndaj tij ishte surreal.

Ndërsa, për kolegen e saj, Time Kadrijaj, ka thënë se uron që të jetë qetësuar pas këtij veprimi.

Reagim i plotë i Kusari-Lilës:

“Veprimi politik dhe kauza duhet të kenë bashkërendim logjik. Por kur njëra kundërshton tjetrën, e kupton se nuk ka kauzë dhe se veprimi politik bëhet kaotik, i udhëhequr nga mllefi, emocioni dhe gjuha vullgare, që dëshmojnë instinktin e pakontrolluar dhe mungesën e një qëllimi të qartë.

Kjo ishte, fatkeqësisht, opozita jonë mbrëmë dhe sot.

Mbrëmë, dy parti opozitare e refuzuan disa herë ftesën për takim nga Kryeministri Kurti, ndërsa tjetra kërkon shumë më tepër sesa ua besuan votuesit e këtij vendi, por njëkohësisht kërkon me ngulm konstituimin e Kuvendit.

Dmth., ne nuk vijmë të flasim, por ejani ju dhe votoni, sepse na duhen institucionet.

Ndërsa sot, edhe përmes veprimit politik të një deputeteje, e cila, siç u dëgjua, nuk e kishte informuar as grupin e saj parlamentar, u kalua në sulm fizik ndaj Kryeministrit me vezë. Ishte një moment surreal, që dëshmoi se nervoza kishte kaluar përtej kontrollit dhe logjikës së veprimit politik.

Nuk kam çfarë të shtoj për veprimin e deputetes, përveçse të uroj që të jetë qetësuar pas atij momenti dhe që, bashkë me grupin e saj parlamentar, të arrijnë të kuptojnë se me praninë dhe votimin e tyre për konstituimin e institucioneve mund të kontribuojnë shumë më dobishëm për vendin sesa me veprime të tilla"

Lajme të ngjashme