Miliona euro të dyshimta: Dy hetime mbi Berishajn, Kurti i vendosur në mbrojtje të ambasadorit
Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, është kthyer tashmë në një figurë të njohur. Por jo për punën e bërë, sa për një skandal financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ai. Në media është raportuar se dyshohet që skandali peshon 100 milionë euro, e ku përfshihet edhe Berishaj, i cili dyshohet se përfitoi 600 mijë euro nga filiali i GEN-It në Beograd.
Shumë shkrime, një ftesë në komisionin hetimor të Kuvendit të Kosovës, një hetim nga Prokuroria e një kallëzim penal të Policisë ndaj Berishajt… e përsëri shumë shkrime që pasqyrojnë krejt skandalin financiar.
Natyrisht, pushteti, përfshirë kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani e kryediplomatja Donika Gërvalla, i dha besim të verbër. Për të gjithë ata, z. Berishaj ishte i pafajshëm dhe s’ishte i përfshirë në skandal.
E në shkrimin e fundit të “Prava”-s, pushteti përsëri lëshoi të njëjtën muzikë, të dëgjuar e të ridëgjuar vazhdimisht. “Pretendimet janë të pavërteta” – buçiste dje nëpërmjet shkrimit zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu. Por raportimin e fundit ende nuk ka folur vetë kryeministri i Kosovës, por përgjigja e tij tashmë mund të imagjinohet. Kurti do të ripërsëris atë që tha zëdhënësi i tij.
Siç shkroi dje Nacionale, Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadori të Kosovës në Kroaci. Një burim i gazetës Nacionale brenda Prokurorisë Speciale i ka treguar gazetës se kallëzimi penal është ngritur për shmangie të tatimit.
“Para disa dite Policia e Kosovës i ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj. Kallëzimi penal tashmë është dorëzuar në Prokurorinë Speciale”, ka thënë burimi i mirinformuar.
MartinGate: Nga A deri në ZH
Në prill të vitit të kaluar, tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Slloveni, mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar. Akuza ishte e rëndë, hiç më pak se shpërlarje parash.
Në këtë skandal, u përfshi edhe Martin Berisha, ambasador i Kosovës në Kroaci, emri i të cilit ishte krahas kryetarit të Partisë për Liri në Slloveni, Robert Golob.
Sipas televizionit Planet TV, politikani slloven po hetohej ndërkombëtarisht për disa transaksion që i ka dërguar nga një burim serb i furnizuesit energjetik slloven GEN-I te kompania e ambasadorit Berishaj, MB Cosulting në Mal të Zi.
Në bazë të këryre raportimeve, bëhej fjalë për 600 mijë euro ku dyshohet se kompania e ambasadorit kosovar i ka marrë e të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme që dyshohet se i ka kthyer Golobit.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Raportimet thonin se në bazë të dokumentacioneve të siguruar, ngjarja kishte ndodhur mes viteve 2019 dhe 2020.

Martin Berishaj ka mohuar këto akuza duke paralajmëruar padi ndaj medies që ka publikuar skandalin duke i quajtur shpifje.
Mirpëo, pak ditë pasi ky skandal plasi në media, ku fillimisht raportoi gazeta Nacionale, Agjencia Kundër Korrupsion kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit Berishaj.
Një muaj pas AKK-ja nisi procedurat e vërtetësisë së pasurisë, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishte konfirmuar për Nacionalen se kishin nisur hetimet ndaj ambasadorit Berishaj për raportim të rremë të pasurisë.
Më vonë, nga AKK është ngritur kallëzim penal kundrejtë Martin Berishaj.
Lajmin e kishte konfirmuar për Nacionalen vetë Agjencia, duke falënderuar Nacionalen për raportimin e këtij rasti. Kallëzimi penal ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj është në pronësi edhe të dy kompanive të tjera me seli në Kosovë – “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C.”.
Ambasadori Berishaj asnjërën nga këto nuk i kishte deklaruar në formular.
Thellimi i skandalit
Në dhjetorin e vitit të kaluar, skandali i ambasadorit do të thellohej edhe më shumë. Kësaj radhe, raportimi u bë nga mediumi slloven Pozhareport. Për më keq në këtë raportim të ri përmendet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Detaje të reja nga hetimi i Golobit, tashmë kryeministër slloven dhe i GEN-It, dyshohet se një pjesë e parave duhej të shkonte në Kosovë për Kurtin.
Sipas asaj që raportohet nga gazeta Pozareport, një pjesë e parave nga GEN-i në Beograd kishin shkuar në Kosovë gjatë asaj kohe, më saktë te “rrethi i kryeministrit Albin Kurti, për të cilën gjë, shërbimi i inteligjencës serbe BIA thuhet ta ketë ditur.”
Berisha u ftua edhe në Komisionin Hetimor për Energji të Kuvendit të Kosovës, e ku ai u prit me buzëqeshje e fjalë të buta, duke mos i hyrë asnjë "therr në këmbë".
Albin Kurti, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe figura tjera kyçe të pushtetit në Kosovë e kanë mbrojtur në mënyrë mjaft të çuditshme ambasadorin Martin Berishaj për skandalin e madh financiar të tij.
Edhe më thellë: Dyshime se Kurti u financua me para të dyshimta të GEN-it
Më 6 janar të këtij viti, gazeta sllovene "Prava" ka botuar një artikull të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-I.
Në shkrim për të cilin transmetoi Nacionale, përmendet edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, mbi të cilin hidhen dyshime se është financuar nga paratë e filialit të GEN-It në Tiranë, ku janë transferuar 14 milionë euro. Tutje, Prava shkruan se dyshohet që paratë e GEN-It në Tiranë janë përdorur për të financuar fushatën e Kurtit.
Në hulumtimit e titulluar "Si e paguan Martin Berishajn nga kompania sllovene GEN-I! Ku përfunduan gati 100 milionë euro", theksohet se ambasadori i Kosovës ka përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë. Në fakt, gazeta shkruan se nëpërmjet operacioneve akrobatike të kontabilitetit, kompania sllovene GEN-I me filialet e saja në Beograd, Sarajevë e Tiranë kanë mbuluar gjurmet e gati 100 milionë eurove.
Nga këto 100 milionë euro, për të cilat raporton Prava, 60 milionë janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialin e GEN-It në Beograd e Tiranë.
"Ushtarët" e Martinit
Ndonëse në vazhdimësi opozita kërkoi që ambasadori Berishaj të shkarkohej, pushteti as që e konsideronte një gjë të tillë, madje nuk u rezervuan as t’i dalin në mbrojtje ambasadorit në Zagreb.
Pak kohe pasi ky skandal ishte publikuar, presidentja Vjosa Osmani kishte folur rreth akuzave qëi drejtoheshin ambasadorit Berishaj.
Osmani nuk u kursye ta mbronte Berishajn, duke u mjaftuar të bazohej në mohimin e Berishajt.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me të cilin Berishaj ka një afërsi, u angazhua në mbrojtje të tij.
Lideri i VV-së e kishte falënderuar përzemërsiht ambasadorin Berishaj në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kujtojmë se edhe Martin Berisha kishte qenë anëtar i Kryesisë së VV-së.
Ndërkaq, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, kishte thënë se do të bisedoj me ambasadorin kosovar, duke shtuar se nuk ka arsye t’i besoj pretendimeve kundër tij.

Në nëntor të 2022-të, ambasadori Martin Berishaj kishte raportuar për herë të parë para deputetëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Ai kishte thënë se nuk ka asnjë lidhje me GEN-in në Beograd dhe se nuk ka pranuar para prej tyre, kurse për kompaninë e tij “MB Consulting” tha se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020.



