Mickoski e gëlltit heqjen e formulimit ‘gjuhë dhe identitet maqedonas’ - NACIONALE

Mickoski e gëlltit heqjen e formulimit ‘gjuhë dhe identitet maqedonas’

11 muaj më parë

nga Col Mehmeti

10 korrik 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski i ka zbutur fjalët karshi Parlamentit Evropian.

Në dritën e heqjes së shprehjes “gjuhë dhe identitet maqedonas” nga raporti vjetor për Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se nuk do t’i braktisë bisedimet.

“Mbase dikush ka pritur që ne të braktisim bisedimet si revoltë ndaj raportit të djeshëm, por ne nuk do të sillemi si të papjekur e të papërgjegjshëm”, ka theksuar Mickoski.

“Përkundrazi, ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort e më vendoshmërisht, ne do të tregojmë se me reformat në shtëpi jemi nxënësi më i mirë në klasë”.

Ai, më tutje, i ka cilësuar si sjellje të papërgjegjshme përpjekjet e eurodeputetëve bullgarë për ta ridefinuar gjuhën dhe identietin maqedonas si ‘modern’.

Sipas tij, heqja e formulimit për gjuhën dhe identitetin maqedonas ka qenë mohim nga ana e Bullgarisë për një nga popujt më të vegjël në Evropë.

“Për mua, është veprim i paprecedentë dhe është gjithçka pos vlerë evropiane”, ka shtuar Mickoski.

Disa ditë më parë, ai kishte qenë më i ashpër në diskurs kur e kishte quajtur ndryshimin e raportit si ‘taliban’.

“Sot kemi një realitet të hidhur: gjuha dhe identiteti maqedonas po fshihen nga dokumentet zyrtare evropiane në mënyrë talibane,” kishte thënë kryeministri maqedonas.

Harrohet thelbi i raportit për ndikimin e ‘botës serbe’

Përndryshe, raporti i përparimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut është miratuar në Parlamentin Evropian gjatë një sesioni plenar të mbajtur të mërkurën në Strasburg.

Për raportin kanë votuar për 461 eurodeputetë, 121 kundër, si dhe 107 kanë absetnuar nga gjithsejt 689 vota në Parlamentin me 720 ulëse.

Ky është raporti i parë për rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut në këto tri vitet e fundit. Draft raporti, i përgatitur nga Thomas Weitz, kishte shkaktuar pakënaqësi në Bullgari për shkak se përmbante shprehjen “gjuhë dhe identitet maqedonas”.

Sidoqoftë, problemet e ngritura nga raporti kanë qenë më të gjëra e largvajtëse sesa kaq.

Aty është ngritur shqetësimi për ‘botën serbe’, për të cilën është thënë se po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.

Në pikën 80 të draft-raportit shprehet “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept; dënon pjesëmarrjen në takime që përpiqen të themelojnë sfera ndikimi që e prekin sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.”

Në një vend tjetër, raporti për Maqedoninë e Veriut ka kërkuar distancimin e vendit nga e kaluara e vet komuniste përmes hapjes së arkivave.

Kësisoj, në pikën 80-të të raportit është nënvizuar “nevoja për hapjen e arkivave të shërbimeve të fshehta jugosllave (UBDA dhe KOS), të ruajtura në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, ashtu sikurse edhe nevojën që këto arkiva të hapen në nivel rajonal me qëllim të tejkalimit të së kaluarës totalitare.”

Në draft-raport, vëmendje ka marrë edhe fakti që “Maqedonia e Veriut mbetet cak i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj”, duke përmendur në mënyrë eksplicite sesi tabloidet dhe mediat në gjuhen serbe funksionojnë si bartëse rajonale të narrativave të Kremlinit.

BDI: “Maqedonia, laborator ndikimesh antiperëndimore”

Gjatë të enjtes, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj raportit duke thënë se ai i ka dhënë shuplakë të fortë vendit pasi është bërë laborator i ndikimit të ‘botës serbe’ dhe Rusisë e Kinës.

“Raporti i fundit i eurodeputetit Tomas Vajc në Parlamentin Evropian është një aktakuzë alarmante për drejtimin që ka marrë Maqedonia e Veriut nën qeverisjen e koalicionit ZNAM–VMRO–VLEN. Ai konfirmon atë që BDI ka paralajmëruar prej muajsh: vendi po shndërrohet në një laborator për ndikimet më destruktive anti-perëndimore në kontinent”, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, Qeveria e Mickoskit në vend të një përgjigjje serioze, ajo po hesht.

“Në vend të mbrojtjes së sovranitetit institucional dhe orientimit perëndimor të vendit, ajo lejon që Maqedonia e Veriut të rrëshqasë në izolim dhe instrumentalizim. Ky është rezultati kur pushteti i dorëzohet axhendave të huaja, ndërsa braktisen partnerët më të rëndësishëm të shtetit, Bashkimi Evropian dhe NATO”, thuhet mes të tjerash në reagim. /Nacionale/

Lajme të ngjashme