Mexhiti i ashpër me BDI-në pas kritikave ndaj Kurtit: Përpjekje e dëshpëruar për ta relativizuar takimin e djeshëm - NACIONALE

Mexhiti i ashpër me BDI-në pas kritikave ndaj Kurtit: Përpjekje e dëshpëruar për ta relativizuar takimin e djeshëm

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Që nga dje, skena politike shqiptare në Maqedoni të Veriut është trazuar për shkak të një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me (jo)zyrtarizimin e gjuhës shqipe. BDI-ja e Ali Ahmetit, por edhe qarqe të ndryshme në Kosovë, e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për deklaratën e tij gjatë një konference me kryeministrin maqedon, Kristijan Mickovski. Në këtë debat tashmë është përfshirë edhe Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, Mexhiti, politikani shqiptar numër një në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, reagimet e BDI-së i sheh si tendencë për të imponuar tema politike dhe për ta përfshirë politikën kosovare në çështjet e politikës ditore në shtetin maqedonaso-shqiptar. Mexhiti e cilësoi si të frytshëm takimin “mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës”, duke e lartësuar “atmosferën miqësore” mes dy vendeve.

“Opozita shqiptare - BDI pra, qysh para takimit tentoi të imponojë tema politike në agjendën zyrtare të mbledhjes duke e përfshirë kështu politikën kosovare në çështjet e politikës ditore në Maqedoni të Veriut. E përsëris, në politikën ditore dhe jo në çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me shqiptarët. BDI gabimisht pretendon se vetëm kjo parti ka pronësinë mbi Marrëveshjen e Ohrit. Unë them se për 22 vite kemi parë dhe e dijmë se çfarë mund të bëjnë ata. Tani qytetarët përmes votës kanë vendosur që dikush tjetër t’i përfaqësojë dhe me këtë nuk mund të pajtohet udhëheqësia e BDI-së” – ka thënë Mexhiti për Nacionalen.

Tutje, Mexhiti vlerësoi se reagimet e BDI-së dhe të tjerëve janë ‘reagime kryesisht për përdorim të brendshëm”. Në një deklaratë për Nacionalen, Mexhiti foli edhe për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, që ishte kryetema e debatit nga dje.

“Unë mendoj se këto reagime janë kryesisht për përdorim të brendshëm, për ta animuar anëtarësinë në dofarë ‘Mbledhjesh me qytetarët’ që po i bëjnë. Sa i përket gjuhës shqipe, faktet janë këto: Ligji për përdorimin e gjuhëve bazohet në kushtin ‘20 për qind’. Kjo do të thotë se në të ardhmen edhe një grup tjetër etnik mund të arrijë numrin 20%. Në atë rast nuk do të flitet vetëm për shqipen, por për shipen dhe një gjuhë tjetër. Pra, me zgjidhjen ligjore të BDI-së maqedonishtja dhe shqipja nuk janë gjuhë të barabarta dhe këtë e di edhe z. Ahmeti, edhe militantët e tij. Pastaj, vetë BDI- ja i ka dërguar për vlerësim si të kontestueshme në Komisionin e Venecias tre nene nga Ligji i Gjuhëve. Pikërisht këto nene nuk zbatohen në praktikë aktualisht dhe pikërisht këto nene kontestohen para gjykatës kushtetuese- neni për uniformat policore, për valutën dhe për procedurat gjyqësore në dy gjuhë” – ka sqaruar Mexhiti.

Në fund, Mexhiti i ka quajtur reagimet e opozitës në Maqedonië të Veriut e në Kosovë si “përpjekje të dëshpëruara”.

“Ta përmbylli, gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut ka një përdorim të gjerë zyrtar, institucional, por për fat të keq, nuk është gjuhë zyrtare në nivel të barabartë me maqedonishten, siç është serbishtja me shqipen në Kosovë. Dhe Ali Ahmeti dhe BDI-ja e dinë shumë mirë këtë fakt, njëjtë siç e dinë arsyen përse është kjo kështu.

Për ta përmbyllur, reagimet e djeshme i shoh si përpjekje të dëshpëruara të opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut (dhe opozitës në Kosovë) për ta relativizuar rëndësinë e takimit të djeshëm dhe për ta lënë nën hije rëndësinë e marrëveshjeve të arritura” – ka përfunduar Mexhiti.

Lajme të ngjashme