Mediat serbe publikojnë një video ku pretendohet se ka pasur të shtëna në Zubin Potok
[E PËRDITËSUAR] - Fotoja në ballinë është Ilustrim
Mediat serbe, Kurir dhe Novosti kanë publikuar një video, ku sipas tyre ka të shtëna në Zubin Potok.
Videon e kanë marrë nga një faqe lokale që supozohet të shpërndajë informacione mbi komunën e Zubin Potokut.
Nacionale ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, si në qendër ashtu edhe në rajonin e veriut.
Këta të fundit thanë se nuk kanë informacione, kurse nga qendra kanë bërë të ditur që Policia e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në asnjë shkëmbim zjarri dhe nuk ka informacione nëse ka pasur të tilla.
“Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, ka thënë Kelani për gazetën.
Pas këtyre raportimeve, pra rreth shkëmbimeve të zjarrit në Zubin Potok, ka reaguar shefi i kabinetit të Presidentes Osmani, Blerim Vela.
Vela, përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter" ka thënë se këto media, puro pro-regjimit të Vuçiqit, po tentojnë nxitje tensionesh.
Sipas tij, të gjitha këto janë raportime false, që për synim kanë destabilizimin.
"Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në ndonjë skenë krimi. Strukturat ilegale dhe kriminale serbe po gjuajnë me armë", tha ndër tjerash Vela.
🚨 #Serbia’s pro-regime media are in overdrive to instigate armed confrontation in #Kosovo, falsely reporting that skirmishes are taking place near Zubin Potok.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) December 25, 2022
Kosovo Police is not involved in any skirmishes. Serbia’s illegal and criminal structures are firing weapons. pic.twitter.com/hyWtCM9iny
Në anën tjetër, Koha.net ka raportuar se në veri është sulmuar një ekip i KFOR-it.
Sipas mediumit respektiv, ushtarët e misionit paqeruajtës që raportohet të jenë sulmuar në Zubin Potok janë nga Letonia.
Kujtojmë gjithashtu faktin se sot shënohet dita e 16 prej kur në veri të vendit, në disa lokacione janë vendosur barrikada, barrikada këto që mbyllur qarkullimin në dy pika kufitare, ato në Jarinjë e Bërnjakë.
Nga Qeveria e Kosovës në përgjithësi, e vetë kryeministri Kurti në veçanti, në një konferencë për media ka pranuar se janë në pritje të KFOR-it, kurse nga ky mision kanë kërkuar që barrikadat të hiqen me dialog.
Një numër i konsiderueshëm deputetësh të shumicës kanë kritikuar KFOR-in për "neglizhencën" rreth çështjes së barrikadave, kurse edhe kanë paralajmëruar veprime të mëvetshme për t'i hequr postblloqet e vendosura nga strukturat paralele.
Ndaj këtyre strukturave, ka pasë vazhdimisht thirrje që t'i heqin ato që i kanë vendosur, pasi vetëm po krijojnë probleme, kurse ata që po vuajnë janë qytetarët e asaj pjese të Republikës së Kosovës.
Ne do t'ju raportojmë në kohë reale për çdo risi eventuale. Më poshtë edhe videoja gjegjëse, ndërsa kujtojmë faktin se lajmi është në përditësim e sipër.
A po luan KFOR-i me Kurtin?
Fakti që KFOR-i nuk ka reaguar tash e gjashtëmbëdhjetë ditë është në vetëvete poshtërues për kryeministrin e Kosovës i cili vazhdon të pres për intervenimin e tyre. Por, të çuditshme dhe po ashtu poshtëruese ishin edhe deklaratat e mësipërme që nuk mund të quhen ndryshe veçse politike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kishte quajtur sjelljen e KFOR-it si “shumë më të mirë se sa të shumë qeverive perëndimore” në një deklarim të para disa ditëve.
Në anën tjetër, të ashpër ndaj KFOR-it ishin njerëzit e fortë në Vetëvendosje, përfshirë deputetin Dimal Basha por edhe komisaren Dejona Mihali.
“Me kë me dialogu për heqjen e barrikadave? Me Radojiçiqin?” – u shpreh kjo e fundit.
“KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre!” – u shpreh ndërkohë deputet Dimal Basha.

