"Me Vjosën s'flasim për pozita": Kush ishte Donika si analiste, që u bashkua me Presidenten Osmani? - NACIONALE

"Me Vjosën s'flasim për pozita": Kush ishte Donika si analiste, që u bashkua me Presidenten Osmani?

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Donika Kadaj-Bujupi është bërë pjesë e Presidencës, ndoshta duke hequr qafe përfundimisht karrierën si analiste televizive. Por, tash që kjo ‘epokë’ po mbaron është legjitime të pyesim: kush ishte Donika Kadaj si analiste televizive?

Kadaj do të këshillojë presidenten Osmani, sipas Presidencës, për “komunikimin publik” dhe për “marrëdhënie ndërkombëtare”. Ndër tjerash.

“Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje znj. Kadaj Bjpi, dhe ka theksuar se përvoja e saj e gjatë profesionale do të kontribuojë edhe më shumë në arritjen e objektivave të Kabinetit të Presidentes dhe avancimit të mëtutjeshëm të punës së Presidencës.”shkruhej në komunikatën për medie.

Megjithatë, cila ishte përvoja si analiste televizive e znj. Kadaj?

Paraprakisht, të ndalemi te disa deklarata të saj.

Ajo e kishte pranuar se presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, e kishte shoqe (sic) shumë moti dhe me të cilën nuk flisnin “për oferta”.

“Gratë nuk bëjnë marrëveshje nëpërmjet ofertave e pozitave”.

Një deklaratë tjetër që kishte bërë bujë ishte edhe ajo se “deputetë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes nuk dinë me lexu...”

Donika si analiste

Sa i përket Donikës si analiste, ju ftojmë ta lexoni profilin e saj të përgatitur nga redaksia e Nacionales 5 muaj më parë:

Donika Kadaj Bujupi nuk është se nuk të zë në befasi edhe si analiste politike, ashtu siç na kishte zënë në befasi në prillin e 2016-s kur ishte larguar nga AAK-ja për të kaluar në Vetëvendosje. Ajo ka edhe një trajektore të analizës që i përsëritet vazhdimisht, por ka edhe një guxim që rrallë e hiç i çmohet.

“Mu kanë lodhë mashqit,” – i kishte thënë Ramush Haradinaj Albin Kurtit sipas këtij të fundit në vitin 2016. Kjo lodhje ishte përmendur si arsye për të ndërprerë bashkëpunimin opozitar kundër Qeverisë Mustafa, Hashim Thaçit, Demarkacionit e Asociacionit.

Por, Ramush Haradinaj s’po fliste në emër të Donika Kadajt. Ajo nuk ishte as ‘mashq’ e as e lodhur. Prandaj, edhe aderoi në Vetëvendosje për të çuar përpara kauzat e asaj kohe duke e befasuar opinionin publik përkundër që kishte qenë mes zërave më të artikuluar në mbrojtje të Ramush Haradinajt për shumë vite radhazi.

Befasitë e Kadajt megjithatë s’do të ndaleshin. Ajo do të rikthehej te Haradinaj dhe ‘mashqit’ e tij sërish, pas gati dy vitesh në partinë e Kurtit. Dhe pas dy vitesh tjera duket se pa zhurmë ishte larguar sërish. Efektivisht, ajo u bë analiste prej që u largua për herë të parë nga 'mashqit e lodhur'.

Edhe sot në pozicionin e analistes, ajo na duket se i riluan shpesh ato lëvizje politike që i kishte bërë mes prillit 2016 dhe marsit 2018: nga Haradinaj te Kurti dhe pastaj sërish te Haradinaj në një trajektore që nuk rresht së përsërituri gati në çdo emision.

Që ta ilustrojmë më mirë: nga pozicione fillestare kritike ndaj Albin Kurtit ajo nuk ngurron të bëjë një kthim të beftë për ta mbrojtur Albin Kurtin në debat, dhe më pas bën një kthim tjetër të beftë në pozicionin fillestar për ta kritikuar sërish.

Leonard Kërquki kur i shtron një pyetje, mund të supozojmë se ka kurreshtje të sinqertë se çka përnjëmend po mendon Donika. Pra, në cilën pjesë të trajektores së lartpërmendur ndodhet në filan momenti.

Qysh u bë analiste?

Donika ishte mes politikanëve më mediatikë të AAK-së, dhe prandaj veçse kishte një përvojë të gjatë në televizione. Ajo në një mënyrë hiqte nga pamja ‘mashqit e AAK-së’ që lodheshin kur mbesnin gjatë jashtë pushtetit.

Por, për dallim nga ata mashqi të lodhur, Donika ishte një grua e palodhur pasi menjëherë pas daljes së sërishme nga AAK-ja iu rrek rrugës së vështirë të analistes. Ajo është mes grave të pakta që në këtë formë i shërben sferës publike, përkundër gjuhës së tmerrshme patriarkale që e demonstrojnë përnatë audiencat e televizioneve tona.

Specifika: Nuk polemizon

“Ta përfundoj mendimin, e mandej ju e kundërshtoni!” – iu tha Donika debatuesve tjerë në emisionin Pressing kur po diskutohej për kryesinë e VV-së. Kështu besojmë se iu thotë edhe në debate tjera.

Donika përton të polemizojë. Dhe sidomos, kur debati është aq i zhurmshëm sa e kanos përgjysmimin e mendimit të saj në çdo sekondë. Ose, e kanos edhe përmbysjen e trajektores së analizës për të cilën folëm më lart. E veçanërisht përton të polemizojë kur fjalën e merr Valon Syla apo Sadri Ramabaja, që shpesh dinë ta ‘çaraveshin’ temën apo të përdorin shembuj të çuditshëm në argumentim.

Me raste, duket sikur Donika flet krejt tjetër gjuhë prej analistëve tjerë. Ose, sikur nuk flet fare me ta.

Por, Donika megjithatë nuk përton të mbrojë – ta zëmë – qëndrime anti-Vetëvendosje kur debati peshon shumë pro-Vetëvendosjes apo edhe të jetë si zëvendëse e Sadri Ramabajës e Shkëlzen Gashit kur debati bëhet shumë kritik ndaj VV-së.

Kush i shkon nerva?

Leonard Kërquki, sa herë që Donika konsideron se i jep fjalën më pak se që i takon. Dhe sërish Leonard Kërquki, sa herë që konsideron se toleron zhurmë më të madhe në debat se që duhej të toleronte.

Po ashtu, nerva besojmë se i shkon edhe Ilir Mirena.

Kosova ideale sipas Donikës

Ndoshta një Kosovë ku Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti do të ishin në një parti. Mundësisht, kjo parti të ishte në pushtet.

Kosova distopike sipas Donikës

“Në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes ka deputetë që s’dinë me lexu,” – tha në njërin prej debateve Donika. Besojmë që është e vështirë të imagjinohet një rrethanë më distopike se ajo ku deputetë të partisë në pushtet nuk dinë të lexojnë. Dhe për më tepër, ku Donika që ka shërbyer për pesë mandate si deputete nuk është më deputete.

Fjala e preferuar: S’i dihet

Donika Kadaj ka kryer Fakultetin e Gazetarisë, Komunikimin Masiv. Ndoshta shkaku i profesionit, ajo është shumë e kujdesshme që të mos përdor një fjalë vazhdimisht e vazhdimisht. Megjithatë, ndoshta edhe për shkak të përvojës me ‘kthime të befta’ kemi vërejtur se përdor goxha shpesh shprehjen “S’i dihet!”

Orientimi politik: E qendrës

Donika ka qenë pjesë e një partie të qendrës së djathtë dhe e një tjetre të qendrës së majtë. Besojmë se ajo është e qendrës, pra centriste në thelb. Ja një diskutim të cilin e ka zbuluar me fjalët e saj.

“Besnik Bislimin e kam pasë kundërshtar kryesor (sa kam qenë në VV) për shtesat e fëmijëve. Pse me i bo thojke, se s’ka buxhet? Ai ishte në një parti të majtë. Na gjujshim gaz, ai thojke jo unë jo se s’du me hupë punën si profesor. Çështja e të majtës është veç deklarative. Kur ka qenë Besnik Bislimi shef i shtabit? Prej 2014-s është aty. Edhe ju keni qenë aty.”

Nota: 4/10

Donika Kadaj ka një kulturë të respektueshme debati. Ka një gjuhë të folur mjaft të rrjedhshme të përzier gegnishtes dhe standardit. Shpesh ka argumente mjaft të qëndrueshme. Dhe, më e rëndësishmja shërben si një shembull frymëzimi që edhe gra të tjera të marrin pjesë si analiste në debate televizive.

Sidoqoftë, Donika nuk është shumë e qartë në pozicionet që mbron dhe shpesh toleron debatuesit e tjerë që t’i çojnë deri në fund qëndrimet e tyre përkundër që mund të kenë argumente shumë të lodhta. Po ashtu, ajo nuk i jep gjallëri të mjaftueshme debatit përkundër që ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme