“Me gjasë s’iu pëlqen me punu”: Në Gjilan, asamblistët e VV-së nuk shkojnë në Kuvend edhe pse kanë pushtetin
“18 asamblist prezent dhe 17 mungojnë,” - kështu nisi seanca në Kuvendin Komunal të Gjilanit gjatë ditës së martë. Seanca vazhdoi punimet e saj pasi që u bë kuorumi Mirëpo gjëja më e pazakonshme që ndodhi në këtë rast ishte se nuk mungoi opozita, si zakonisht, por mungoi pushteti. Pse?
Në mbledhjen e së martës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, morën pjesë vetëm dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje apo partisë në pushtet dhe një nga koalicioni.
Ismajl Kurteshi, Vjollca Matoshi dhe Ardhmërie Musliu, ishin emrat e këtyre treve. Kjo linte të nënkuptohej se brenda VV-së në Gjilan mund të kishte përçarje.
Mungesa e VV-së në seancë nuk u arsyetua tek kryetari i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu.
Kështu bëri të ditur, Kadriu në një prononcim për Gazetën Nacionale, mirëpo i njëjti u shpreh se kjo nuk është hera e parë.
“Nuk kemi ndonjë arsye se pse janë duke munguar, janë diku 20 asamblist në Kuvend që e bojnë shumicën, Vetëvendosja e ka bo që dy herë me sa e di, në momentin që një nga këshilltaërt del jashtë për ndonjë arsye dhe ne mbesim 18 ose 17 nga shumica e tjetër, dhe ata dalin e rrezojnë kuorumin. Kështu ka ndodh në seancën e kaluar dhe prapë janë nis me të njëjtin mendim, mirëpo këtë rend kemi pas kuorum dhe kemi votu,” – ka thënë ai.
I pyetur se mos ndoshta VV-ja e ka bojkotuar seancat e Kuvendit Komunal, Kadriu u shpreh se nuk është i informuar për një gjë të tillë. Sipas tij, në kohën kur udhëheqësi i ka takuar asamblistët e kësaj partie, ata për gjashtë muaj ka ndodhur që s’e kanë mbajtur asnjë seancë.
“Nuk jam i informuar për ndonjë arsye apo bojkot, nëse kish pas diçka atëherë kish dashtë me pasë arsye publike, por më shumë mendoj se është për ta penguar punën e Kuvendit. Sa kanë qeverisë VV kuvendin, para se me u bo unë kryetar, për 6 muaj ka ndodhë që nuk kanë mbajtur seancë të Kuvendit hiç, dhe pastaj edhe në vitin 2023 filloi e njëjta gjë. Më gjasë nuk është që ju pëlqen shumë me punu dhe me ardh me mbajtë punime.”
Kryesuesi i Kuvendit në Gjilan ka bërë të ditur se ky Kuvend është më pasivi në nivel Republike, duke shtuar se janë shumë mbrapa sa i përket programit të punës.
“Kuvendi i Gjilanit në nivel Republike është Kuvendi më pasiv në mbajtje e seancave do të thotë jemi shumë prapa me punë, shumë mbrapa me program të punës. Jemi duke tentu me mbush at boshllëkun që ka mbet nga viti 2021-2022 e edhe gjatë këtij vitit.” – ka thënë Kadriu për Nacionalen.
Ai ndër të tjera ka folur edhe për projekt buxhetin komunal, i cili nuk është votuar në asamble, ku është shprehur se ka pas mungesë koordinimi nga ana e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.
“Edhe kur jemi të buxheti për vitin 2024, nuk ka kalu në Kuvendin Komunal të Gjilanit, se kryetari i komunës nuk është harmonizu me mu si kryesues që e ka obligim ligjor për me i mbajt dëgjimet buxhetore dhe është dashtë të koordinohet me mua pastaj edhe me partitë e tjera, madje duke e ditur se nuk e ka shumicën është dashtë të koordinohet së paku. Opozita ka gjet shumë mangësi në buxhetin komunal, dhe kanë kërku që të rishikojmë edhe do prioritet që mendojmë që janë për qytetarët, mirëpo nuk kemi pa një disponim prej kryetarit.” – ka përfunduar ai.
Nga opozita në këtë komunë kanë thënë se në Gjilan ka pasur ndryshim demokratike raportesh në Kuvendin Komunal që nga prishja e koalicionit VV-PDK.
Avdyl Aliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se arsyeja e mos-pjesëmarrjes nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është se nuk kanë arritur me vu në lëvizje asnjë premtim, asnjë projekt dhe asnjë punë sado të vogël.
“Në Gjilan ka ndodh një ndryshim demokratik raportesh në Kuvend Komunal, pas prishjes së partneritetit të LVV-së me PDK-në. Edhe duke qenë në bashkëqeverisje të këtyre dy subjekteve, raporti ka qenë shumë i ngushtë, dmth. 18:17 për pozitën, atëherë sepse LDK është fituese e madhe e zgjedhjeve për Kuvend Komunal. Fatkeqësisht, ekzekutivi i komunës dhe në përgjithësi LVV nuk kanë arritë me u pajtu me këtë realitet të ri. Arsyeja e bojkotit të seancave dhe mos-pjesëmarrjes në to është sepse që moti e kanë pa se nuk kanë arrit me vu në lëvizje asnjë premtim, asnjë projekt dhe asnjë punë sado të vogël, nga mosdija, nga mungesa e vizionit dhe mungesa e vullnetit.” – ka thënë Aliu në një prononcim për Gazetën Nacionale.
Ndër të tjera ai ka thënë se rruga që kanë zgjedhur Lëvizja Vetëvendosje, është rrugë e viktimizimit.
“Prandaj, që tani e kanë "zbuluar" fajtorin për dështimet e tyre dhe kanë zgjedhë rrugën e viktimizimit. Kryetari dhe ekzekutivi e kanë shumë të veshtirë përballjen në kuvend, sepse në raport financiar iu thuhet se kanë kaluar 6 muaj të vitit dhe shumica e drejtorive kanë shënuar 0 (zero) euro investime kapitale e që është shumë e rëndë të dëgjohet nga veshi i tyre. Ose, tjetra arsye është sepse në rend të punës e kemi raportin me kualifikimin më të keq ndonjëherë të Komunës së Gjilanit, prandaj Kryetari dhe Drejtorët komunal e kanë të vështirë përballjen me këto fakte dhe shumë fakte të tjera. Kuvendi është vend i debatit, ne i presim në Kuvend herëdokur.” – ka përfunduar Aliu.
Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga shefja e Grupit të asamblistëve VV-së në këtë komunë, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.


