Ish-këshilltari i Kuçit të PDK-së: Përpjekja titanike e pushtetit për rehatimin e Viganit të drejtësisë - NACIONALE

Ish-këshilltari i Kuçit të PDK-së: Përpjekja titanike e pushtetit për rehatimin e Viganit të drejtësisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vigan Qorrolli është qëmoti pjesë e opinionit publik në Kosovë. Herë si analist, herë si shef i Kabinetit të Hajredin Kuçit të PDK-së, herë si përkrahës i VV-së. Megjithatë, Qorrolli njihet edhe si “kandidat i përhershëm” për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa që nga java e kaluar, z. Qorrolli, që është edhe asistent në Universitetin e Prishtinës, e ka edhe një funksion të ri.

Përkrahjen për pushtetin aktual, më në fund, i është shpërblyer z. Qorrollit. 4 ditë më parë (7 korrik 2023), Zyra e kryeministrit Albin Kurti njoftoi se asistenti në UP, pra z. Qorrolli, është bërë pjesë e kabinetit qeveritar. Ai do të mbajë funksionin e zëvendësministrit të Drejtësisë, për të cilën gjë, i uroi punë të mbarë edhe shefi i tij i ri, Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot z. Vigan Qorrolli, zëvendësministër të Drejtësisë.

Duke e uruar për detyrën, Kryeministri Kurti i dëshiroi z.Qorrollit suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.” – shkroi Zyra e Kryeministrit.

Për “rehatimin” në Qeverinë Kurti, njoftoi edhe vetë Qorrolli, duke theksuar se emërimin në Ministrinë e Drejtësisë, erdhi pas ftesës së Kurtit. Vartësi i Albulena Haxhiut, shkroi edhe një fjali falëndërimi, duke përmendur edhe “besimin e thellë” në punën e vlefshme për kombin dhe atdheun tonë”.

“Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i jam bashkuar Ministrisë së Drejtësisë në detyrën e zëvendësministrit.

Me besim të thellë për punë të vlefshme për kombin dhe atdheun tonë -- ju falënderojë të gjithëve për vlerësimet tuaja dhe ju uroj një vikend të bukur!” – shkroi Qorrolli.

Qorrolli është ritkhyer në Ministrinë e Drejtësisë për herë të dytë. Vite më parë, Qorrolli i kishte shërbyer edhe Hajredin Kuçit, ministër i Drejtësisë nga PDK-ja dhe njëriu më i afërt në Qeverisjen 1 dhe 2 të Hashim Thaçit, ish-kryeministër dhe ish-president i Kosovës. Madje, siç mund të shihet edhe në uebfaqen e MD-së, z. Qorrolli ka qenë shef i kabinetit të ministrit Kuçi,duke e nënshkruar edhe një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut.

Në fakt, Qorrolli u shpërblye më në fund nga pushteti, pas disa përpjekjeve të dështuara për t’u bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Qorrolli kishte kandiduar për herë të parë për gjyqtar të Kushtetueses në pushtetin e Kurtit në vitin 2021.

Juristi Qorrolli, që deklarativisht ishte përkrahës i Kurtit, llogariste në votat e VV-së, ndonëse një pritje e tillë nuk iu shpagua. Ai ishte votuar me pikë maksimale nga deputetët Andan Rrustemi, Mimoza Kusari, Igor Simiq dhe Erxhan Galushi, të gjithë deputetë të pushtetit ose të koordinuar me pushtetin. Pikë maksimale Qorrolli kishte marrë edhe nga Besnik Tahiri, deputet i AAK-së.

Në raundin e tretë të votimit në qershor të 2021, 49 deputetë kishin votuar për Qorrollin, ndërsa 38 për kundërkandidatin e tij, Haxhi Xhemajlin. Nga tre kandidatë sa ishin në garë, Qorrolli mori 50 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në raundin e parë të votimit për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Dy kundërkandidatët e tij, Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli morën nga 18 vota.

Ndryshe, Nacionale ka raportuar në disa raste për statuset me përmbajtje të çuditshme të Qorrollit, ish-analist që difilonte nëpër studio të ndryshme. Në një status të 8 muajve më parë, Qorrolli kishte etiketuar ashpër Bashkimin Evropian. Ish-analisti e ish-kandidati serik për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, pra ligjërues Qorrolli, e ka cilësuar BE-në si organizatë harbute.

“Përveç racizmit sistematik, Bashkimi Evropian, po tregohet edhe një organizate harbute.

Pjell diçka qe s’ka ekzistuar kurrë në këtë organizatë që prej themelimit të saj në vititn 1951: diskriminimin.” – shkroi i përhershmi kandidat Qorrolli.

Madje, në një status, Qorrolli e kishte krahasuar në vitin 2020 Kurtin me Fan Nolin, rilindasin e njohur, duke thënë se Kurtin e rrëzoi Amerika, ndërsa Nolin Britania.

Lajme të ngjashme