Me forcë a me dhunë? Ende mjegull mbi deklaratën për të zhdukurit, Odalloviq thotë “mirë që foli Kurti” - NACIONALE

Me forcë a me dhunë? Ende mjegull mbi deklaratën për të zhdukurit, Odalloviq thotë “mirë që foli Kurti”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

‘Mjegulla’ për deklaratën për personat e pagjetur në luftë po vazhdon përkundër pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë më 4 prill në Bruksel. Por, ka disa zhvillime të reja për këtë çështje.

Në pikën e katërt të Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Ohër flitet në mënyrë të qartë për çështjen e deklaratës për personat e pagjetur, dhe kërkohet që të trajtohet me urgjencë.

“Palët pajtohen të miratojnë Deklaratën për Persona të Pagjetur, siç është negociuar nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.”

Brukseli

Për herë të parë pas Ohrit, Kosova e Serbia u takuan më 4 prill në Bruksel. Petar Petkoviq doli nga takimi dhe foli ‘triumfalisht’ se kishin shmangur termin “të zhdukur me dhunë”.

Ai tha se kishte pasur marrëveshje. Besnik Bislimi ka dështuar që të formulojë fjali të qarta për këtë çështje, në anën tjetër.

Sidoqoftë, Andin Hoti – kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur – dje e rriti mjegullën kur përmes një statusi tregonte se në deklaratën e dakorduar do të përdorej termi “të zhdukur me dhunë” por duke e fshirë më pas e duke e hequr këtë term nga paragrafet e para.

Prishtina

Megjithatë, sot për çështjen foli edhe kryeministri Albin Kurti.

“Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. Pra, “forcibly disappeared” (të zhdukur me forcë) është shprehja në anglisht e cila tashmë është dakorduar në Bruksel.”u shpreh ai.

Në “Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Të Gjithë Personave nga Zhdukja e Dhunshme” fatkeqësisht nuk përdorej termi “forcibly disappeared” por “enforced disappearence”.

Termi i parë përdorej saktësisht zero herë. Ndërkohë, termi i dytë – siç ishte edhe në titull – përdorej 65 herë.

Beogradi

Përveç Petkoviqit, tashmë në Beograd ka folur edhe Veljko Odalloviqi nga kryetari i komisionit për të pagjeturit në Serbi.

Ai tha “mirë që e sqaroi situatën sot Kurti”.

“Mirë që Kurti e sqaroi situatën sot, që draft-dokumenti nuk e përmban termin “zhdukje me dhunë” të cilën e ka përdorur Andin Hoti,” – u shpreh ai.

“Marrë parasysh se në atë kohë (koha e luftës) ishim vetëm ne shtet dhe jo Kosova, kjo do të thoshte se përgjegjësia e plotë për gjithçka që ndodhi do t’i takonte ekskluzivisht shtetit të Serbisë. Kjo do të isthe një barrë afatgjatë dhe e madhe për shtetin e Serbisë,”u shpreh z. Odaloviq, kryetar i komisionit për të pagjeturit në Serbi.

Lajme të ngjashme