"Me asnjë qeveri si me atë Kurti", Rrahman Jasharaj tregon sfidat me ekzekutivin aktual - NACIONALE

"Me asnjë qeveri si me atë Kurti", Rrahman Jasharaj tregon sfidat me ekzekutivin aktual

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrahman Jasharaj ka qenë i ftuari i radhës i Intervistës së Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

I pari i SBAShK-ut foli për shumëçka rreth karrierës së tij, rrugëtimin e deritanishëm, barrierat, sfidat e në veçanti për të pathënat me kryeministrin Kurti.

Në anën tjetër, në pjesën e zgjeruar këtu, mysafiri Jasharaj shpalosi sharjet dhe fyerjet që kishte pranuar nga militantët e aktivistët e Vetëvendosjes.

Sipas kreut sindikalist, kjo ka ndodhur për herë të parë. Tutje, Jasharaj tha se disa prej këtyre linçimeve u ngjasonin atyre që i kishte përjetuar gjatë luftës.

"Të them të vërtetën, në vitet e 90-ta, çdo gjë që ka ndodhë ndaj nesh, sulmet, nuk ka pasë fyerje, sepse nuk ka pasë edhe mjete të tilla të tashme, por policët serbe që na përcillnin bashkë me spiunët, kudo që na zinin në aktivitete, fyerjet i kishin sikur këto të tanishmet. Pra, po ma kthejnë atë fotografi të vjetër. Sharjet e të vdekurve, nënçmimi i pamjes, me Zotin me të tjerët që na shanin, sepse pjesa tjetër ishte praktike, me grushte e me shqelma, tendenca ishte që të na largojnë nga sindikalizmi dhe nga mbrojtja e arsimit shqip nuk arritën, këtë e bëmë për nëntë vite. Pas luftës jo. Është hera e parë që ndodh kështu".

Ndërkaq, këtu Jasharaj foli edhe për kohën e grevës trijavore në kohën Haradinaj. Ai tregoi se si të afërmit e shokët i bënin thirrje që për hirë të fëmijëve e njëjta të mos zgjaste shumë.

Por, ku deshi ta vëjë theksin ishte te fakti se përkundër që udhëtonte me autobus, nuk kishte pranuar as edhe një kërcënim të vetëm.

"Më kujtohet koha e grevës trijavore e kohës Haradinaj.Edhe unë vij nga ajo pjesë. Shokët pa ndonjë qëllim më këshillonin, thoshin që greva të jetë sa më e shkurtër, për hirë të nxënësve dhe asnjë kërcënim nuk e kam pasë në atë kohë. Më 2017-ën greva ka zgjatë tri javë. Më besoni, kam udhëtuar me autobus si zakonisht, por asnjë kërcënim. Në kohën e grevës me Qeverinë Kurti, ka ndodh diçka që s’ka ndodh kurrë ndaj meje e ndaj tjerëve. Fyerje, shantazhe, kërcënime, edhe t’ju them të vërtetën, me ato mundësitë e veta hulumtuan, për të më gjetur të paktën edhe një vit diku".

Në pjesën e fundit foli edhe për momentin kur kishte qajtur, moment ky i kapur nga Nacionale gjatë një interviste të vet Jasharajt.

Njeriu që drejton sindikatën prej 32 vitesh tha ishte thyer nga emocionet, prandaj edhe kishte lëshuar lotë, e këto erdhën pas akuzave skandaloze të Elvis Hoxhës, ku thuhej se Rrahman Jasharaj ka qenë anëtar i partisë serbe SPS, deklarata këto për të cilat vet Hoxha kishte kërkuar falje.

"...e falënderoj Nacionalen, pikërisht për një moment. Më zuri momentin kur qava. Qava, sepse isha i thyer emocionalisht, sepse të gjitha i përballova. Se nuk jam hajn e dinin Peja dhe të tjerët, se nuk jam spiun e dinin të tjerët. Se nuk jam milioner e dinë të gjithë. Fqinj e kam Gazmend Muhaxherin. Kam dhënë mësim 32 vite. Ata e dinë pasurinë time. Kam dhënë Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe po them jam krenar me nxënësit e mi, sepse janë bërë njerëz të mirë, njerëz të profesioneve të ndryshme dhe i kanë kontribuar Kosovës, edhe pse fatkeqësisht një numër i madh i tyre janë jashtë shtetit, sepse nuk kanë mundur ta gjejnë veten këtu", përfundoi ai.

Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, ndërsa në pjesën e epërme të tekstit gjeni episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme