Mbledhja e KQZ-së: Akreditohen 29 organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve, pezullohet një parti politike - NACIONALE

Mbledhja e KQZ-së: Akreditohen 29 organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve, pezullohet një parti politike

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 29 organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në mbledhjen e sotme, KQZ dy organizatave iu ka refuzuar akreditim, me arsyetimin se njëra nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me procesin zgjedhor ose me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Po ashtu, edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju” u tha se në dokumentet e statutit të saj i referohet Kosovës me termin “Kosovo i Metohije”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Prandaj, u refuzua akreditimi i kësaj organizate me 9 vota pro dhe një abstenim.

Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “Eko-Levizja e Gjelbër” me akronim ELGJ.

Sipas KQZ-së, ky subjekt politik është dashur të mbajë kuvendin e tij zgjedhor më 25 maj 2026, por zyra nuk ka pranuar asnjë njoftim për mbajtjen e këtij kuvendi.

Zyra i rekomandoi KQZ-së që të pezullojë këtë subjekt politik, në mënyrë që ai të aplikojë dhe brenda 45 ditëve ta mbajë kuvendin zgjedhor. Përveç kësaj, u rekomandua që në rast të mosmbajtjes së kuvendit brenda afatit prej 45 ditësh, partia politike të çregjistrohet.

Me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, KQZ-ja mori vendim për pezullimin e kësaj partie politike.

Lajme të ngjashme