Mbaroi “telenovela” e barrikadave - krejt çka ndodhi sot në veri
Mëngjesi i ditës së sotme shënoi rëniën e barrikadave serbe të vendosura para 20 dite, saktësisht me datë 10 të këtij muaji, me pretekst arrestimin e ish-policit serb Dejan Pantiq i cili ditën e djeshme mori vendim nga Gjykata Themelore për arrest-shtëpiak nën dyshimin për vepër terroriste në Zyrat e Komisonit Zgjedhor në veri të Mitrovicës.
Një ditë pasi u bë lirimi i Pantiqit, presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi heqjen e barrikadave pas takimit me serbët në Rashkë, dhe rrejdhimisht mëngjesi i së enjtjes u çel me fillimin e largimit të barrikadave edhe pas presionit të vazhdueshëm ndërkombtarë se situata duhet të çtensionohet.
Dita filloi me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit për të cilët njoftoi Policia e Kosovës.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë ditës së sotme ekipi i Nacionales ka qëndruar në veri të Kosovës, ku ka parë një kamion që po largohej nga barrikada në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut. Megjthatë, përkundër heqjes së barrikadës, rruga vazhdonte të ishte e bllokuar për qarkullim, pasi nuk u larguan të gjithë kamionët e tjerë në barrikada.
Po ashtu, në fshatin Zupç të Zubin Potokut nuk janë larguar ende barrikadat.
Sipas raportimeve të mediave, kamionet barrikadues në këtë fshat po vazhdojnë ta bllokojnë rrugën që të shpie tek pika kufitare në Bërnjak e cila vazhdon të jetë e mbyllur bashkë me pikën kufitare Jarinje. Edhe pse bllokadat në rrrugët që çojnë tek këto pika kufitare, kanë filluar të hiqen, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, këto dy pika vazhdojnë të jenë ende të mbyllura.
Në përditësimin e fundit nga qendra tregohet se ato janë ende të mbyllura, ndërsa jepen detaje për pikat e tjera me Dheun e Bardhë ku pritjet për hyrje janë 5 minuta, ndërsa në Muçibabë pritjet për dalje zgjasin me 20 minuta.
Si u prodhua kjo situatë?
Lajmi i djeshëm për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak shtensionoi situatën në veri. Barrikadat ishin vendosur pikërisht si shenjë proteste për arrestimin e Pantiq, verpimin e të cilit autoritetet tona e konsideronin si të motivuar politikisht.
Gjatë ditës së djeshme, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë në të cilën thuhej se kishin marrë garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.
Barrikadat u cilësuan madje si “paqësore” përkundër deklaratave të përsëritura nga ana e zyrtarëve të Kosovës – përfshirë kryeministrin – se në to kishte elemente kriminale.
"Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme u shfaq mjaft i ashpër duke dashur që të mësonte emrin e prokurorit dhe gjyqtarit. Por, ai sot në një mbledhje me gazetarë u shfaq shumë më i relaksuar duke i thënë këto fjalë: “Barrikadat po hiqen, të dielen e thamë që është çështje ditësh se kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë tonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” – u shpreh Kurti pa e përmendur fare rastin e Pantiqit.
Opozita kërkoi sqarim
Partitë opozitare kanë qenë dyshuese se Qeveria e Kosovës është përfshirë në një marrëveshje të fshehtë me Serbinë për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak dhe largimin e barrikadave në veri.
Zyrtarët e këtyre partive politike i kanë kërkuar sqarime Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.
Sipas tyre, edhe deklarata e përbashket e SHBA-së dhe BE-së tregon se palët kanë zhvilluar bisedime për largimin e barrikadave.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nëse qeveria është përfshirë në ndonjë marrëveshje të fshehët, ajo duhet të jap sqarime.
“I takon Qeverisë që të dalë e ta shpjegojë a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plotë herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregojë që ta arsyetojë këtë vendim”, ka thënë Krasniqi për EO.
Dyshime edhe më të forta për një marrëveshje të tillë ka shprehur deputetja e AAK-së,Time Kadrijaj.
Ajo ka thënë se qytetarët kanë të drejt të dinë se çka përmban ajo marrëveshje.
Ndërsa, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, mendon se vendimi për ndryshimin e masës nga paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-policin serb është bërë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Me gjasë vendimi për lirimin e policit serb qenka shkruar nga kyenegociatori Bislimi meqenëse sapo deklaroi që qenka shkruar shpejt”, ka bërë me dije Tahiri.
Serbia "pranoi" se ka pasur marrëveshje
Nga mbrëmë pala serbe vazhdimisht ka deklaruar se ka pasur marrëveshje për largimin e barrikadave në veri të vendit.
Presidenti Vuçiq dhe zyrtarët tjerë të lartë serbë kanë përendur edhe detaje të marrëveshjes.
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjurqi, ka deklaruar se pala serbe dhe pala kosovare kanë biseduar dhe kanë arritur marrëveshje për largimin e barrikadave dhe lirimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Marrëveshjen e djeshme shkuam një hap më tej në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka humbur një mundësi të artë nga Amerika dhe ndërkombëtarët për shkak të sjelljes.
Ai ka thënë se deklarata e përbashkët e BE-së dhe Amerikës tregon më së miri detajet e marrëveshjes.
“Ftoj qytetarët e Serbisë që të njihen me dy elementet e tjera të bisedimeve që u zhvilluan dhe marrëveshjen e arritur, e cila u materializua përmes deklaratës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së nga njëra anë dhe deklaratës së KFOR-it. nga ana tjetër”, thotë Gjuriq.
Deri më tani Qeveria e Kosovës ka mohuar se ka pasur bisedime për largimin e barrikadave. Madje, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të qeverisë kanë kritikuar prokurorin dhe gjyqtarin që kanë vendosur që ish-polici serb, i dyshuar për sulm terrorist, t`i ndryshohet masa nga paraburgim në arrest shtëpiak.



