Lajçak më ndryshe se Borrell për situatën në veri: Problemi u zgjidh, por mosbesimi është më i lartë se kurrë
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se “beson” që është zgjidhur problemi i barrikadave në veri, megjithatë, sipas tij, “tensionet dhe niveli i mosbesimit” mbesin të larta.
Sipas diplomatit evropian, është e rëndësishme që të mos lejohet një krizë tjetër.
Reagim ndryshe prej Borrell?
Lajçak për mediumin “Politico”, thekson qartë se “niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë.
“Besoj se e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbeten të larta. Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë.” – ka thënë ai.
Emisari i BE-së ka shtuar se liderët e Kosovës dhe të Serbisë, duhet të fillojnë krimin e kushteve për diskutime produktive në dialog.
“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve.” – tha ai.
Një reagim më të butë rreth këtij zhvillimi, e ka pasur shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili përmes një shkrimi në Tëitter, konsideroi se “ka mbizotëruar diplomacia”.
Diplomacy prevailed in de-escalating tensions in north Kosovo. Violence can never be a solution.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) December 29, 2022
Welcome responsible leadership of President Vučić & Prime Minister Kurti.
Great EU, US & @NATO_KFOR teamwork. Thanks to all involved!
We now need urgent progress in the Dialogue.
“Diplomacia mbizotëroi në shtensionimin e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje. E mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Punë e madhe ekipore e BE-së, ShBA-ve dhe KFOR-it. Falemnderit të gjithë të përfshirëve. Na duhet tash progres urgjent në dialog.” – tha ai.
Situata në veri
Barrikadat në veri kanë filluar të hiqen, e të cilat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve. Mëngjesi i së enjtjes u çel me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më herët ndërkaq, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme ekipi i Nacionales qëndroi në veri të Kosovës, ka parë një kamion që po largohej nga barrikada në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut. Megjthatë, përkundër heqjes së barrikadës, rruga vazhdonte të ishte e bllokuar për qarkullim, pasi nuk u larguan të gjithë kamionët e tjerë në barrikada.

Media serbe në Kosovë, Kossev pak më parë ka raportuar që në fy fshatra të Zubin Potokut tashmë janë hequr në mesditë edhe dy barrikada. Duhet përmendur që ekipi i Nacionales, që ende është në veri, e ka pasur të pamundur ta konfirmojë një informacion të tillë për shkak se rruga që çon drejt atyre fshatrave ishte e bllokuar.
Siç ka shkruar Nacionale më herët, një raportues i N1-shit ndërkohë ka thënë se qëndrimet e qytetarëve serbë në veri për çështjen e largimit të barrikadave janë të ndryshme.
“Ka prej atyre që besojnë se barrikadat nuk duhet të hiqen derisa polici i fundit i njësisë speciale largohet nga veriu i Kosovës, ndërsa të tjerët duan që të kthehet jeta në normalitet,” – thuhet në raportim.
Kujtojmë që dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri. E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.
E për krejt këtë çështje, dje Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë, ku theksojeh se ShBA-ja dhe BE-ja kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.


