Bislimi, Borrelli, Vjosa Osmani: Të gjitha rrugët tregojnë se kishte marrëveshje, përveç Albin Kurtit - NACIONALE

Bislimi, Borrelli, Vjosa Osmani: Të gjitha rrugët tregojnë se kishte marrëveshje, përveç Albin Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, pas lirimit të ish-policit Dejan Pantiq, po vazhdon të krijojë reagime. Pas dërgimit në arrest shtëpiak të ish-policit të dyshuar për terrorizëm, kanë filluar të largohen edhe barrikadat. Merita për këtë de-eskalim kanë marrë shumë persona, e së fundmi edhe Joseph Borrell, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian. Por në postimin e Borrellit, kuptohet edhe një gjë me rëndësi.

Në bazë të postimit, Borrell ka treguar se ka pasur një marrëveshje për de-eskalim të situatës, pasi ai falënderoi të gjithë, përfshirë Kurtin e Vuçiqin për "lidership të përgjegjshëm". Në fakt, mundësia për një marrëveshje për lirimin e Pantiqit dhe heqjen e barrikadave, disi u shtuan pas deklarimit të Besnik Bislimit, zëvendëskryeministër i Kosovë.

Shpresoj se kjo nuk do të shihet si pazar sepse qeveria e Kosovës nuk është e përfshirë në këtë gjë.” - theksoi z. Bislimit.

Por për këtë çështje ka folur edhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës. Madje ajo tregoi edhe ca prapaskena nga krejt ngjarja me veriun.

në një intervistë për “Rubikon”, mbrëmë Osmani ka pranuar publikisht se ishte ajo që e telefonoi ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier për t’i thënë që t’i kërkojë kryeministrit Kurti “48 orëshin”, i cili do të përfundonte me arritjen e një marrëveshje rreth targave.

“Pasiqë dështoi arritja e marrëveshjes, sepse z. Borrell ndryshoi në tërësi edhe propozimin e tij, atëherë e kam telefonuar ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh, në fillim nga ShBA, jo vetëm 48 orësh, e kam kërkuar vetë në një telefonatë me ambasadorin Hovenier.” – ka deklaruar znj. Osmani.

"Në koordinim me kryeministrin Kurti?" - e pyet gazetari.

"Jo, e kam kërkuar vetë..." - thotë ajo.

Por çfarë tha Borrell?

Në një postim të tij në Tëitter, z. Borrell ka shkruar mbizotërimit të diplomacisë, e cila sipas tij e ka shtensionuar situatën në veriun e Kosovës. Madje, ai e ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e “mirëpritur lidershipimin” e tyre të “përgjegjshëm”.

Por shefi i diplomacisë së BE-së nuk ka harruar të falëndërojë edhe BE-në, ShBA-në e KFOR-in për “punë ekipore”, duke shtuar se “duhet progres urgjent” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Diplomacia mbizotëroi në shtensionimin e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje.

E mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti.

Punë e madhe ekipore e BE-së, ShBA-ve dhe KFOR-it. Falemnderit të gjithë të përfshirëve. Na duhet tash progres urgjent në dialog.” – shkroi ai në Twitter.

Çka po ndodh në veri?

Ndryshe tash barrikadat në veri kanë filluar të hiqen, e të cilat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve. Mëngjesi i së enjtjes u çel me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.

“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme ekipi i Nacionales që po qëndron në veri të Kosovës, ka parë një kamion që po largohej nga barrikada në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut. Megjthatë, përkundër heqjes së barrikadës, rruga vazhdonte të ishte e bllokuar për qarkullim, pasi nuk u larguan të gjithë kamionët e tjerë në barrikada.

Media serbe në Kosovë, Kossev pak më parë ka raportuar që në fy fshatra të Zubin Potokut tashmë janë hequr në mesditë edhe dy barrikada. Duhet përmendur që ekipi i Nacionales, që ende është në veri, e ka pasur të pamundur ta konfirmojë një informacion të tillë për shkak se rruga që çon drejt atyre fshatrave ishte e bllokuar.

Siç ka shkruar Nacionale më parë, një raportues i N1-shit ndërkohë ka thënë se qëndrimet e qytetarëve serbë në veri për çështjen e largimit të barrikadave janë të ndryshme.

“Ka prej atyre që besojnë se barrikadat nuk duhet të hiqen derisa polici i fundit i njësisë speciale largohet nga veriu i Kosovës, ndërsa të tjerët duan që të kthehet jeta në normalitet,” – thuhet në raportim.

Kujtojmë që dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri. E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.

E për krejt këtë çështje, dje Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë, ku theksojeh se ShBA-ja dhe BE-ja kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.

Lajme të ngjashme