Franca del me kërkesë për Kosovën e Serbinë: Zbatoni obligimet e dialogut - NACIONALE

Franca del me kërkesë për Kosovën e Serbinë: Zbatoni obligimet e dialogut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës e ka mirëpritur njoftimin se barrikadat në veri të Kosovës do të hiqen shpejt, derisa u kërkoi palëve që t’i zbatojnë obligimet që kanë nga dialogu.

MPJ-ja franceze përmes një komunikate për media, veç kësaj u ka bërë thirrje autoriteteve të të dyja vendeve që të punojnë për t’i zbutur tensionet dhe për të ecur drejt një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të zbutur tensionet në terren dhe për të ecur drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.” – thuhet në komunikatë.

Në fund, shkruan: “Të gjitha angazhimet e marra si rezultat i këtij dialogu duhet të zbatohen.”

Si erdhëm deri këtu?

Lajmi i djeshëm për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak shtensionoi situatën në veri. Barrikadat ishin vendosur pikërisht si shenjë proteste për arrestimin e z. Pantiq, të cilin veprim të autoriteteve tona e konsideronin si të motivuar politikisht.

Po gjatë ditës së djeshme, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë në të cilën thuhej se kishin marrë garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.

Barrikadat u cilësuan madje si “paqësore” përkundër deklaratave të përsëritura nga ana e zyrtarëve të Kosovës – përfshirë kryeministrin – se në to kishte elemente kriminale.

Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme u shfaq mjaft i ashpër duke dashur që të mësonte emrin e prokurorit dhe gjyqtarit. Por, ai sot në një mbledhje me gazetarë u shfaq shumë më i relaksuar duke i thënë këto fjalë: “Barrikadat po hiqen, të dielen e thamë që është çështje ditësh se kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë tonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” – u shpreh Kurti pa e përmendur fare rastin e Pantiqit.

Lajme të ngjashme