Maqedonia i shndërron shkollat fillore në shtëpi pleqsh – a e pret ky fat Kosovën?
Rënia demografike në shtetin fqinj, në Maqedoninë e Veriut, ka prekur ndjeshëm numrin e nxënësve në shkollat fillore dhe ato të mesme – mbyllja e shkollave është pasoja e pashmangshme. Ndonëse banorë rezidentë Maqedonia e Veriut i ka 1,836,713 (regjistrimi i vitit 2021), më shumë se Kosova me 1,586,659 (regjistrimi i vitit 2024), gjendja me numrin e nxënësve në njërin vend mund të reflektohet tek tjetri. Për shkak të demografisë shumë më të re, Kosova ka numër më të madh nxënësish në shkollat fillore e të mesme, porse rënia është tejet e lartë siç paraqitet nga krahasimet prej vitit në vit.
21 korrik 2025 – Maqedonia e Veriut po e shqyrton mundësinë që të bëjë optimizimin e rreth njëqind shkollave periferike të mbyllura.
Objektet e tyre mund të shfrytëzohen si shtëpi për të moshuarit apo klube.
Kështu së paku ka njoftuar ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në një intervistë për Radion ‘Evropa e Lirë’ në gjuhën maqedone.
“Nëse një shkollë periferike është 30 kilometra larg nga ajo qendrore, nuk do të mbyllet, edhe nëse ka vetëm një nxënës. Ai nxënës ka të drejtë në arsim. Por nëse është 2.5 apo 3 kilometra larg dhe aty mësojnë vetëm 15 nxënës, ata do të transferohen në shkollën qendrore”, ka thënë ajo.
Ministrja e Arsimit, tutje, ka shpjeguar se rreth njëqind shkolla periferike tashmë janë mbyllur, për shkak se aty nuk ka më fëmijë.
“U rekomandoj kryetarëve të komunave të gjejnë përdorim të ri për ato objekte. Nga ne nuk do të kenë asnjë problem. Nuk janë të përshtatshme as për çerdhe, sepse nuk ka fëmijë – por mund të shfrytëzohen për diçka tjetër… ndoshta shtëpi për të moshuar, ndoshta ndonjë klub ose diçka tjetër”, ka theksuar Janevska.
Siç bëhet e ditur nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoninë e Veriut, në fillim të vitit shkollor 2024/25 në shkollat e rregullta fillore dhe ato të mesme të ulëta janë regjistruar 180.627 nxënës, një rënie prej 0.8 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor.
Kjo dosido ka prekur edhe numrin e vetë shkollave.
Në vitin shkollor 2021/2022, në Maqedoni ishin 973 shkolla dhe 187,555 nxënës, kurse pesë vite më vonë numri i shkollave fillore është 943 në nivel vendi.
Megjithatë as Kosova nuk është në gjendje më të mirë, ndonëse numri i nxënësve është diçka më i lartë.
Sipas të dhënave të sivjetme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i gjithmbarshëm i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2024/2025 ishte 208,515; megjithatë, rënia hetohet duke u krahasuar me vitin paraprak shkollor 2023/2024 kur në të njëjtat nivele ishin 215.431 nxënës.
Sipas një statistike jo të përditësuar nga 2018-a, numri i shkollave fillore dhe atyre të mesme të ciklit të ulët ishte 948 sosh.
Ndërkaq sipas një studimi të Instutit Kosovar për Demokraci, nga të dhënat për vitet shkollore nga 2016 deri më 2019 ka rezultuar se komunat me përqindjen më të lartë të shkollave që kanë më pak se 50 nxënës janë Dragashi, Gjilani, Dardana, Lipjani, Istogu dhe Mitrovica. /Nacionale/