Maqedonia drejt lideres në rajon për rrymë, Kosova e Kurtit arnohet me importe
30 qershor 2025 – Një javë pasi blloqet kryesore të KEK-ut gëlonin me zero për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, madje duke u varur krejtësisht nga importi, vendi fqinj, Maqedonia e Veriut, ka përveshur mëngët për projektet e reja energjetike.
Sipas ministers së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, Maqedonia e Veriut po hyn në një fazë të re të transformimit të sistemit të saj energjetik.
Ajo ka thënë se vendi nuk po investon vetëm në qëndrueshmërinë dhe modernizimin e rrjetit, por edhe për t’u bërë lojtar aktiv në ndërlidhshmërinë rajonale dhe integrimin energjetik.
Sipas saj, me ndërlidhësit e ri, stacionet e reja strategjike dhe investimet në infrastrukturë të energjisë së mençur, Maqedonia e Veriut po e hap rrugën drejt pavarësisë energjetike dhe marrjes së rolit të një korridori rajonal të energjisë.
Bozhinovska ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të fillojë zyrtarisht ndërtimi i ndërlidhësit të gazit me Greqinë.
“Ndërlidhësi është 68 kilometra i gjatë, do të bartë jo vetëm gaz natyror, por edhe hidrogjen, do të kursejë 12 milionë euro, si dhe do të ndërtohet nga një kompani maqedonase – përfitim i drejtpërdrejtë për ekonominë e brendshme”, ka thënë ajo.
Bozhinovska ka folur edhe për projektin e NOMAGAS (ndërmarrja shtetërore e Maqedonisë për bartjen e gazit) që paraheh ndërtimin e një ndërlidhësi me Vranjën.
Fizibiliteti dhe studimet mbi ndikimin e tij mjedisor janë në rrugë e sipër, me mbështetjen nga Kuadri për Investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
“Nëpërmjet këtyre dy lidhjeve strategjike, Maqedonia po e vendos veten si pikë e re kalimi për gaz natyror në rrugën Jug-Veri, domethënë me gazjellësin TAP dhe terminalin e LNG në Alexandroupolis drejt Evropës Qendrore, me një kapacitet prej 3 miliardë metra kubikë në vit. Kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për diversifikimin e energjisë në krejt rajonin, me shtim të përdorimit të gazit nga burime të ndryshme,” ka thënë ajo.
Edhe ndërtimi i lidhjes 400/110 kilovatëshe Ohër-Elbasan vlerësohet se do ta përmbyllë lidhjen e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje – projekt strategjik për gjithë rajonin.
“Kjo është një fuqi e re për energjinë maqedonase. Me ndërlidhës rajonalë, Maqedonia nuk është vetëm një konsumuese, ajo po bëhet një pjesëmarrëse aktive në transmisionin dhe qëndrueshmërinë e rrymës në Evropën Juglindore. Kjo është rruga për të siguruar rrymën, qëndrueshmërinë ekonomike dhe pozitën strategjike në hartën energjetike të Ballkanit. Maqedonia po ndëron hartë të re të energjisë në Ballkan,” ka thënë ministrja Bozhinovska.
Kujtojmë se vetëm në vitin e parë të qeverisjes, ish-kryeministri Albin Kurti i mëshoi shkelm ndërtimit të projektit të rrjetit të gazit natyror, i ndryshequajtur Gazsjellësi Transadriatik (TAP), që gëzonte edhe mbështetjen e ShBA-ve.
Po të pranohej projekti në fjalë, përmes 100 kilometrave tubacion do të vinte deri në Kastriot gazi natyror prej terminalit grek në Egje, Alexandroupolis.
Po kështu, Qeveria Kurti e shkatërroi përfundimisht mundësinë e të vetmit investim të rëndësishëm amerikan, siç kishte qenë projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ nga kompania amerikane ‘Contour Global’.
Shkëputja e kontratës ishte cilësuar si alamet arritje nga Kurti, megjithëse Qeveria e Kosovës u detyrua të paguante 21 milionë euro pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023. /Nacionale/