Shqipëria e Maqedonia ‘bashkohen’ me linjë interkonjeksioni - NACIONALE

Shqipëria e Maqedonia ‘bashkohen’ me linjë interkonjeksioni

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Operatori i Sistemit të Transmisionit të Energjisë në Maqedoninë e Veriut (AD MEPSO) ka njoftuar për shpalljen e një tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e lidhjes 400-kilovoltëshe me Shqipërinë.

Fjala është për projektin me anë të të cilit do të përfundojë korridori rajonal i energjisë Lindje-Perëndim që vlerësohet me rëndësi të dorës së parë për integrimin rajonal dhe stabilitetin energjetik.

Tenderi i ri është shpallur pasi kontraktori i mëparshëm, që kishte bërë kërkesa për fonde shtesë, rrezikonte projektin e cilësuar me interes publik.

Tenderi parashikon ndërtimin e një linje interkoneksioni, rreth 100 kilometra të gjatë, nga Stacioni Manastiri 2 deri te kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë – vlera e projektit kap shifrën rreth 17 milionë euro, e financuar me kredi e grante nga EBRD dhe fondet evropiane.

Zbatimi i projektit duhet të fillojë në krye të vitit të ardhshëm, e të përfundojë plotësisht në fund të 2027-s.

“Ndërtimi i këtij ndërlidhësi do ta vendosë sistemin tonë si pjesë thelbësore të infrastrukturës evropiane të elektricitetit, duke mundësuar pjesëmarrje të qëndrueshme në tregje rajonale, qasje në shërbimet e balancimit të sistemit dhe mundësim të furnizimit më të sigurt e më ekonomik për të gjithë qytetarët”, citohet të ketë thënë drejtori i AD MEPSO Burim Latifi.

Në konferencën për shtyp, ai ka thënë se një projekt si ky konfirmon ambicien e vendit për t’u bërë hapësirë strategjike e energjisë në Ballkan.

Ndërtimi i ndërlidhësit të ri, sipas Latifit, do të shtojë ndjeshëm qëndrueshmërinë e rrjetit të transmisionit, duke ofruar hapësirë për kapacitete të reja për prodhim energjie nga burime të përtritshme, integrim në tregjet rajonale e evropiane, që do të kontribuojë në çmime më të qëndrueshme, më të përballueshme e kompetitive të rrymës.

Gjatë ditës, koalicioni i partive shqiptare VLEN, që janë bashkëqeverisës me VMRO-DPMNE, e ka cilësuar këtë si një ndër projektet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen energjetike të Maqedonisë së Veriut.

“Ky sukses madhor është rezultat i vizionit të qartë dhe përkushtimit të palëkundur të Koalicionit VLEN dhe menaxhmentit të ri në SHA MEPSO, të cilët me profesionalizëm të lartë dhe transparencë të plotë kthyen në rrugë të drejtë një projekt të lënë pas dore për vite me radhë”, thuhet në një kumtesë për medie.

“Ky interkoneksion jetik do të pozicionojë Maqedoninë e Veriut si nyje kyçe energjetike në rajon, do të forcojë sigurinë e furnizimit dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndjekja e hapave moderne në energjetikë është një nga qëllimet e Koalicionit VLEN.” /NACIONALE/

Lajme të ngjashme