Mandati i presidentes Osmani s'rrezikohet, pavarësisht vendimit të Kushtetueses: Qe pse - NACIONALE

Mandati i presidentes Osmani s'rrezikohet, pavarësisht vendimit të Kushtetueses: Qe pse

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lajmi i publikuar nga “Gazeta 10” ku thuhej se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani nga pushteti, po demantohet nga njohës të çështjes. Si po komentohet ky raportim?

Mediumi në fjalë duke cituar burime raportonte se "Kushtetuesja do t’i shpallë si jolegjitime dy deputetë të komuniteteve pakicë joserbe", kjo pas kërkesës së ish-deputetit Veton Berisha.

Ky i fundit, ishte ankuar për orkestrim të votimit nga ana e Listës Serbe, e që paraqitej se rrjedhimisht, mund të ndikojë edhe në pozitën e presidentes Osmani.

Mandati i presidentes nuk rrezikohet

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj në një shkrim të bërë në rrjetin social Facebook, ka thënë se sipas praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese, por edhe standardet ndërkombëtare, në këtë rast nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes apo Qeverisë.

“Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin.” – ka thënë ai.

Miftaraj po ashtu ka theksuar se tani ka kanë kaluar afatet kohore në të cilët ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së presidentes së vendit.

"Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputeteve, prapë se prape nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjës së Presidentës së Republikës." - tha ai.

Një qëndrim në lidhje me situatën e ka dhënë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili ka thënë se “nëse nuk ka një bazë ligjore bindëse, Gjykata Kushtetuese do të mbetet brenda kufijve të çështjes”.

“Që do të thotë se edhe nëse kandidati rom fiton, me siguri do të duhet një kërkesë tjetër për t’u dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të pyetur nëse zgjedhja e Presidentit Osmani ishte legjitime, nëse një votë deputeti ishte e paligjshme.” – shkroi ai.

Megjithatë, në shkrimin e tij Selimi ka lënë të kuptohohet se qeveria aktuale e Kosovës është “joprofesionale”.

“Një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushteutese do të krijojë një argument të fortë politik për opozitën apo shoqërinë civile pasi tani kemi disa vendime, ligje, vota nga shumica aktuale qeverisëse të shpallura si anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuesa.” – theksoi Selimi.

Lënda…

Javë më parë, Nacionale shkroi për këtë çështje. Në prill të 2021, Veton Berisha, kryetar i Partisë Egjiptiane, dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Romani Iniciativës”, në vendbanimet me shumicë serbe. Ndonëse kanë kaluar gati dy vite, Berisha, që dikur ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është ende në pritje të një vendimi.

Gjykata Kushtetuese deklaroi për Nacionalen se po e shqyrton lëndën, ndërsa njohësit e së drejtës kushtetuese vlerësojnë se Kushtetuesja i ka tejkaluar të gjitha afatet e arsyeshme për të vendosur për këtë lëndë. Në fakt, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duke e pyetur për rrjedhën e lëndës dhe për mosrespektimin e afateve të parapara ligjërisht.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar dhe Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret.” – theksoi Kushtetuesja.

Ndërsa Veton Berisha, në një përgjigje për Nacionalen, theksoi se çuditet me faktin se Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për këtë lëndë edhe pas dy viteve.

“Po bëhen dy vite që e kemi dorëzu ankesën, po bëhen dy vite që kjo lëndë i ka tejkalu krejt afatet e mundshme logjike, për faktin se sipas tyre kjo është kërkesë individuale, nuk e kanë ndonjë afat. Por nuk nënkupton që lënda aq e ndieshme, të lihet pa afat. Gjatë kësaj periudhe janë duke u shkel shumë të drejta të njeriut, si e drejta e votës, e drejta e përfaqësimit, mohimi i qasjes së barabartë në drejtësi. Gjykata Kushtetuese nuk i kushton rëndësi fare kësaj pune. Jam tepër i zhgënjyer, ngase kam besuar në drejtësi në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese, nuk po e prijudikojë vendimin, unë besoj se ne jemi në të drejtën tonë. Unë çuditem qysh Kushtetuesja me zgjat dy vite lënda.” – vazhdoi ai.

Lajme të ngjashme