Macron fitoi, a pritet liberalizimi i vizave për Kosovën? - NACIONALE

Macron fitoi, a pritet liberalizimi i vizave për Kosovën?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Fitorja e tij shihej si e keqja më e vogël për shumëkë, dhe jo vetëm për francezët.

Emmanuel Macron për pesë vitet e ardhshme do të jetë sërish president i Francës, për të dytin mandat radhazi, përcjell Gazeta Nacionale.

Ai triumfoi në zgjedhjet e sotme përballë kundërkandidates Le Pen, me 58.2%, kundrejt 41.8% të votave.

Por, çka do të thotë ky lajm për Kosovën?

Për shumë opinionistë vendorë e ndërkombëtarë, Franca qe kundërshtarja më e madhe e liberalizimit të vizave për ne.

Kjo për shkak të politikave kombëtare.

Vetë Macron kishte deklaruar se nëse do ta mbështeste liberalizimin e vizave për vendin tonë, do ta ndihmonte partinë djathtiste të Frontit Nacional.

Ndërkaq, zëra të tjerë raportonin se kundërshtia e Francës vinte nga pasiguria që dhanë Shqipëria e Gjeorgjia.

Një tjetër teori thoshte që me t'u liberalizuar vizat, numri i azilkërkuesve drejt Francës do të shumëfishohej, problem ky edhe aktual.

A pritet ndryshim qasjeje?

Realisht po! Duke parë faktin se shteti ynë tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna, atëherë s'ka arsyetime. Parlamenti Evropian ka dhënë verdiktin e tij. Vizat për Kosovën duhet të hiqen.

Në anën tjetër, zyrtarët evropianë që zbarkonin tek ne, thonin që Qeveria duhet të angazhohet në bisedimet bilaterale me vendet të ashtuquajtura "ngurruese", e ku njëra nga dy të tilla ishte Franca. Tjetrën mund ta paramendoni. Holanda.

Një takim i niveleve të larta mes Kosovës e Francës u realizua vitin e kaluar, kur kryeministri Kurti ateroi në Paris.

Atëbotë, Macron thoshte se mbështeste integrimin euro-atlantik të Kosovës, porse nuk kishte një "PO" definitive sa i përket vizave.

Ai kishte thënë se do të jetë ndihmesë e madhe sa i përket shtetit të së drejtës, sigurisë dhe për prioritetet tjera.

Në anën tjetër, ai, në dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar se përgjatë presidencës franceze në BE, në muajin Qershor do të organizohet një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës.

Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, kishte thënë Macron.

Cili duhet të jetë hapi i radhës i institucioneve?

Angazhim. Në praktikë, e jo në 'Twitter'. Pra, diplomaci reale. Thjesht, ministrja e jashtme duhet të bëjë një fushatë mbresëlënëse. Më të mirën në çdo aspekt. Një të atillë sikur paraqitja në Këshill të Sigurimit.

Puna e deritanishme e saj në këtë rrugëtim lë për të dëshiruar, ama shpresojmë për hapa pozitivë tutje.

"De facto", angazhimi i saj i patjetërsueshëm në çështjen e liberalizimit, ka qenë një nga arsyet e zyrtarizimit në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme, nëse jo atij më të rëndësishmit.

Optimizmi është i pranishëm tek të gjithë. Parlamenti Evropian ka dhënë PO-në. Ne jemi të gatshëm. Tash topi te Franca e Holanda. Një pasim i duhur mes tyre, dhe 'topi' mund të përfundojë në gol, gol për të cilin u premtua që nga viti i pavarësisë, thuajse nga të gjithë akterët që kaluan në zyrat gjegjëse.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme