“Lum prindërit dhe familja”: Si u ngazëllyem nga inskenimi i kopjuar në stacionin e autobusëve? - NACIONALE

“Lum prindërit dhe familja”: Si u ngazëllyem nga inskenimi i kopjuar në stacionin e autobusëve?

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Se shqiptarët e çmojnë secilin gjest të mirë, sado i vogël qoftë ai, dëshmojnë edhe komentet që “shpërthyen” në një video me skenë të montuar me regji të dobët në hyrje të stacionit të autobusëve në Prishtinë. Mesazh i mirë, kopje e lodhët.

Një burrë me shkop i mëshon derës së hapur të një autobusi. Autobusi dukej i ndalur dhe porsa po nisej. Burri ishte fare pranë derës dhe mund të hipte, por nuk hipi.

Krejt papritmas, një motoçiklist vjen anash dhe del përballë autobusit. Drejtuesi i motoçikletës zbret nga mjeti dhe e ndihmon burrin me shkop që të hipë në autobus. E bukur për t’u parë, pothuajse e pamundshme për t’u kritikuar, por vështirë për t’u besuar se është skenë reale.

Shumë komentues e kanë përshëndetur gjestin e motoçiklistit. “Gjest i mrekullueshëm. Lum prindërit dhe familja që të kanë” – shkroi një komentues.

Megjithatë, disa të tjerë kanë vërejtur se tërë skena është “me regji”. “Video e bone me marrëveshje” – konkludoi shkurt një komentues.

Analizë e thjeshtë

Lokacioni i ngjarjes

Ngjarja zhvillohet në hyrje të stacionit të autobusëve në Prishtinë, pranë poligonit të autoshkollave. Shtrohet pyetja legjitime: Pse do të synonte burri me shkop që të hipte në një autobus që po futej në stacionin e autobusëve. Vendi ku do të ndalej autobusi do të arrihej në largësi më të vogël në këmbë, sesa duke hipur në të. Nivel themelor i logjikës.

(Mos)Reagimi i shoferit

Shoferi i autobusit nuk befasohet aspak që motoçiklisti i piku si prej qiellit para syve. Ai duket shumë rehat dhe nuk bën kurrfarë reagimi. Në një situatë reale, do të ishte instinktiv një reagim “më i gjallë” i shoferit. Po i vjen era inskenim.

Kameramani “gatitu”

Nëse ngjarja do të ishte ndodhi spontane nga jeta e përditshme, vështirë se do të ndodhej dikush në pozicionin e përsosur për ta incizuar tërë këtë marifet. Kamera i kap motoçiklistin, autobusin dhe burrin me shkop pa kurrfarë problemi, pa lëvizje, pa dridhje dore. E dyshimtë.

Si duket, qëllimi i autorit të këtij skenari, që mund të thuhet se nuk është ndonjë ide origjinale, sepse skena të ngjashme ka në internet, ka qenë përmirësimi i imazhit të motoçiklistëve ose thjesht fitimi i vëmendjes në internet me pëlqime e komente.

Gjesti i motoçiklistit duhet përshëndetur, por vërehet qartë se nuk bëhet fjalë për ndonjë ide origjinale apo skenë reale. Regjia la për të dëshiruar./Nacionale

Lajme të ngjashme