“Lojë fëmijësh”; “joseriozë”: Hasani i bën horë Osmanin, Kurtin dhe Gërvallën për propozimet rreth Asociacionit - NACIONALE

“Lojë fëmijësh”; “joseriozë”: Hasani i bën horë Osmanin, Kurtin dhe Gërvallën për propozimet rreth Asociacionit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është habitur nga qëndrimet e liderëve institucionalë rreth draft-statutit të Asociacionit.

Ai ka bërë me dije se propozimet e udhëheqësve të Kosovës për të dërguar BE-ja draft-statutin e Asociacionit në Komision të Venecias dhe për të shkruar një draft të ri janë jo serioze, raporton Nacionale.

Mbrëmë, në emisionin “DPT të Fidani”, Hasani ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që ia shkaktojnë Kosovës me deklarimet e tyre publike.

Sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, mënyra se si po i drejtohen BE-së kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla nuk është në rregull.

Ai është shprehur i bindur se BE-ja nuk e dërgon draftin e saj në Komision të Venecia.

Ajo nuk është ide serioze. Përveç që nuk është serioze, mënyra se si është thënë nga ministrja e jashtme, është gjuhë që nuk i ka hije një shefi të politikes se jashtme. Nuk duhet me vepru ashtu, nuk duhet ti me atë gjuhë me i thanë: ço ti nëse do. Ajo është gjuhë e fëmijëve. BE-ja është serioze, përbehet prej vendeve që janë aleatët kryesor të Kosovës. Ti duhet me e racionalizu, me tregu pse Kosova nuk e çon atë”, është shprehur ai.

Hasani ka thënë se askush prej liderëve institucionalë nuk i ka bërë ndonjë vërejtje draftit-statutit në momentin që i është dorëzuar Kosovës.

Nuk mjafton me thanë se Kosova nuk e ka autorësinë. Sepse në asnjë fazë të përpilimit të atij drafti institucionet kushtetuese të Kosovës, as kryeministri, as presidentja dhe as ministrja e jashtme nuk kanë bërë vërejtje dhe me thanë se ky nuk është draft i joni. Ju e dini se BE-ja e ka dorëzuar atë publikisht dhe ka qenë përmes mediave, asnjë fjalë nuk është thënë atë ditë. Përkundrazi. Këto kanë hyrë në procedura të rrugës euro-atlantike të Kosovës. Nuk po them vetëm evropiane, por euro-atlantike, sepse amerikanët i ke 100 për qind prapa këtij procesi”, ka theksuar Hasani.

Ai ka treguar se BE-ja e ka hartuar atë draft pasi të dy palët janë pajtuar për një gjë të tillë.

Në Komision të Venecias nuk e dërgon BE-ja, për shkak se BE-ja nuk e ka bë atë krye në veti. E ka bo në kuptim që të dy palët po pajtohen me e perpilu. Po e përsërisë prapë, krejt ato dispozita i ka parë kryeministri i Kosovës dhe Vuçiqi, ndërmjetësi i ka bartur herë njërës palë e herë tjetrës. Kështu shkojnë këto sene. Lajçaku me siguri do t`i botojë memoaret e tij dhe do të del kjo që po e them unë. Ai e ka parë që këta s`po dinë, s`po dojnë me ditë ose kanë kalkulime tjera. A unë besoj më shumë që janë mashtruar prej njerëzve që këta ju kanë besu dhe e kanë pru punën këtu. BE-ja nuk e dërgon, sepse s`ka arsye. Nuk është problem i saj, është problem e yti”, është shprehur Hasani.

Kosova s`mund të tërhiqet nga zotimet e liderëve

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues e ka komentuar dhe idenë e Qeverisë së Kosovës për të hartuar një draft të ri të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk mund t`i ikë zotimit të Brukselit dhe Ohrit për Asociacionin.

Nuk mundesh me i ikë, sepse e ke detyrim ndërkombëtarë dhe kushtetues. Pastaj e ke marrë qat detyrim, ne në të drejtën ndërkombëtare i themi novacio, me bazë të njëjtë ia kë ndryshuar termat e detyrimit fillestar dhe i ke dhanë një përbërje të caktuar”, ka thënë Hasani.

Ai ka përmendur edhe letrën e zotimeve të tre liderëve institucionalë për Këshillin e Evropës, ku janë zotuat se pas anëtarësimit do ta zbatojnë çështjen e Asociacionit.

Sipas tij, dërgimi i letrës tjetër nga Gërvalla për KiE-në dhe me pas tërheqja nga ajo është qesharake.

Pse nuk të pranuan në Këshill të Evropës? Sepse shihej si ajo loja e fëmijëve, që thonë ‘shihe minin atje për me ta marrë një lodër”. Liderët e tri institucioneve dy-tre javë përpara kishin bo zotim, ku thoshin se në momentin që pranohemi ne 100 për qind kemi me e zbatu çdo gjë që përfshinë edhe statutin e BE-së. Dhe ndërkohë e dërgon një letër tjetër dhe në momentin që nuk pranohesh thu: jo valla nuk vlen më”, ka thënë ai, duke shtuar se deklarimet e liderëve institucionalë krijojnë obligime për shtetet.

Por, kur një ministër i jashtëm, president, ose kryeministër me shkrim ose me gojë bëjnë zotime, nuk mundesh me thënë pastaj unë tërhiqna”, ka treguar Hasani.

Ai ka kritikuar edhe presidenten Osmani, e cila ka thënë se me letrën e Gërvallës për KiE-në bien zotimet që janë dhënë në letrën e nënshkruar nga ajo, Konjufca dhe Kurti.

Sipas tij, deklarimet e shefes se shteti nuk kanë logjikë.

Ajo çka thoshte presidentja nuk kishte logjikë në dy aspekte. Ajo thoshte se ka ra ajo letra e nënshkruar nga tre liderët. Nuk mundet me ra ajo, sepse nuk je ti që vendos a bije ose jo. Ti nuk je më që vendos, ti je palë implemtuese. Ato janë lojëra të fëmijëve. E dyta, shefi i shtetit nuk e ka asnjë funksion ekzekutiv”, ka thënë Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka vazhduar të argumentojë së drafti i BE-së është i dëmshëm për Kosovën.

Ai ka thënë se institucionet është dashur ta refuzojnë qysh në fillim draftin në fjalë.

Sipas tij, kryeministri Kurti është mashtruar nga këshilltarët e tij.

Lajçaku ka dal me sukses të plotë. Lajçak e ka kryer misionin e vetë, tjera çka thonë këta. Kushdo qoftë që e ka mësua Albin, se ai është inxhinier, e ka mashtru, me ose pa agjendë të caktuar. Dhe përmes tij e ka dëmtuar Kosovën sepse është dashur që për pjesë të caktuara me kohë me qenë më transparent, sepse ka dispozita aty që është dashur të shkojnë në Kuvend. Ka mundur me kohë me hap debat për disa pjesë të dispozitave të Brukselit dhe të Ohrit”, ka thënë Hasani.

Lajme të ngjashme