'Lobues i Vuçiqit’: Deputetët e VV-së ‘i turren’ Stanos pas komunikatës rreth aksionit në veri - NACIONALE

'Lobues i Vuçiqit’: Deputetët e VV-së ‘i turren’ Stanos pas komunikatës rreth aksionit në veri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Aleatët e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian reaguan me tone të ashpra ndaj aksionit të Policisë së Kosovës të hënën në veri. Dy të parave jo, por zëdhënësit të bllokut, Peter Stano, i janë bërë mbi 300 komente, shumica prej tyre ofenduese, në një postim ku shpërndau reagimin në lidhje me këtë situatë. Sidoqoftë, çfarë bie në sy, janë edhe dy komente të dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fillimisht, iu sjellim në vëmendje se çka shkroi Stano:

“Operacioni i policisë së Kosovës në veri për dinarin është eskalues, kundër shpirtit të normalizimit, rrezikon negociatat e vazhdueshme, dëshmon sërish që autoritetet kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, e jo bashkëpunimin”.

‘Lobues i Vuçiqit’

Deputetja e partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka thënë se ka njerëz që ende besojnë që Stano është zëdhënës, dhe njo lobues i paguar nga Beogradi.

“Z.Stano, ju lutem vini re që ka njerëz këtu që ende besojnë që puna juaj kryesore është ajo e zëdhënësit në EEAS, dhe jo e një lobuesi të paguar nga Beogradi” – ka komentuar ajo.

Një koment të ngjajshëm, poshtë postimit të Stanos e ka bërë edhe deputeti tjetër i VV-së, Dimal Basha:

“Mos harroni ju lutem që njerëzit ju shohin ende si zëdhënës i EEAS, dhe jo si lobues për Vuçiqin”.

Reagimet

Policia e Kosovës të hënën njoftoi janë mbyllur gjashtë njësi të të ashuquajtures “Banka Postare Kursimore". Aty, u bë e ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit, janë shprehur të zhgënjyer, pasi që sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.

"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” thuhej në një përgjigje.

Bashkimi Evropian lëshoi një komunikatë, ku mes tjerash, thuheshin edhe këto fjalë:

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.

Britania e Madhe ndërkaq, i ka bërë thirjre Kosovës që t’i koordinojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë.

“Jemi të shqetësuar që aksioni i djeshëm i Policisë në veri të Kosovës rrezikon të eskalojnë tensionet dhe ta bëjë më të vështirë gjetjen e një zgjidhje afatgjatë për çështjen e valutës”.

“Inkurajojmë autoritet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të përkushtohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla.”thuhej në një shkrim në rrjetin social “X”.

Lajme të ngjashme