Lista Serbe vazhdon me sjellje të papranueshme edhe pasi Sveçla kërkoi të shqyrtohej nëse ishin anti-kushtetues - NACIONALE

Lista Serbe vazhdon me sjellje të papranueshme edhe pasi Sveçla kërkoi të shqyrtohej nëse ishin anti-kushtetues

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lista Serbe po vazhdon të mundohet që të nxis tensione të reja në veri të Kosovës pasi refuzoi që të merrte pjesë në zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore me shumicë serbe. Ata bënë thirrje “për kryengritje” derisa ministri i Brendshëm Sveçla kërkoi të shqyrtohej mundësia të shpallej anti-kushtetuese. Çka po ndodh?

Kjo parti politike postoi një video në Facebook në të cilën pretendonte se shfaqej keqtrajtimi i një gruaje serbe nga policët e Kosovës.

“Siç thamë në konferencën e djeshme, në veri nuk janë zbarkuar policët por banditët në uniformë që pak përpara në Zveçan me katër automjete dhe me armë të gjata e ngacmuan një grua dhe fëmijën e saj. Dhe ti o Kurti po vazhdon me provokime... Ju mendoni se mund ta bëni sa të doni, por sa do t’ju zgjas...” – shkruan kjo parti politike.

Megjithatë, mbështetja që kjo parti politike e mori në Facebook është... tepër e vogël.

Deri në këtë moment, postimi i Listës Serbe i mori vetëm 23 reagime dhe vetëm 2600 shikime.

Ndikimi i kësaj partie politike në komunitetin serb duket përgjithësisht më i vogël se sa që kishte qenë dikur.

Çka ndodhi më herët?

Përpjekjet e Listës Serbe që të rrisin tensionet janë intensifikuar këto ditë. Të paktën pesë vetura të qytetarëve serbë në veri janë djegur, dhe për këto akte kriminale është arrestuar një person.

Por, retorika e Listës Serbe u denoncua nga ana e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Pse? Shumë shqetësuese që Lista Serbe përsëri nuk ka dënuar sulmet zjarrvënëse ndaj veturave të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë bashkë për ta dënuar këtë praktikë,” u shpreh ai.

Pse kjo është e rëndësishme?

Besohet gjerësisht se Lista Serbe qëndron prapa këtyre veprimeve ndaj vetë qytetarëve serbë, disa prej të cilëve i kanë pasur veturat me targa të ligjshme RKS.

Mos-pjesëmarrja e kësaj partie politike në zgjedhje është pritur që do të rriste tensionet, por megjithatë jo edhe pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, akuzoi Serbinë se donte të destabilizonte veriun.

Ai e quajti “kriminel” të arrestuarin Millovan Bozhoviq por shkoi edhe më tej duke dënuar edhe retorikën e Listës Serbe si “vepër të rëndë penale”.

Sveçla kërkoi që për këtë gjuhë të kishte trajtim nga institucionet e pavarura dhe KQZ-ja, “për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues”. Pra, me fjalë të tjera ministri i Punëve të Brendshme po kërkon që potencialisht Lista Serbe të shpallet anti-kushtetuese në Kosovë.

A është e tillë?

Padyshim se po. Thirrjet e saj për kryengritje të bëra dje ishin të turpshme, por fatkeqësisht janë thënë edhe më parë dhe nuk ka pasur ndonjë pasojë ndaj tyre. Përkundrazi, ata kanë poshtëruar shtetin e Kosovës duke mos lejuar që zgjedhjet të mbaheshin në muajin dhjetor 2022.

“Për të qenë të qartë, nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndaluar represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm." – thuhej mes tjerash në reagimin e Listës Serbe.

Nacionale do të provojë të kontaktojë me Prokurorinë dhe institucione tjera të pavarura për të kuptuar nëse kanë nisur veprime pas deklaratave të Listës Serbe.

Lajme të ngjashme