Lista Serbe në takim me ambasadorin e ShBA-ve: Nuk marrim pjesë në zgjedhje pa u formuar Asociacioni
Ambasadori i Sheteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Hovenier, ka takuar sot përfaqësuesit e Listës Serbe me këta të fundit që kanë shprehur qëndrime të papranueshme në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit.
Temë e diskutimeve mësohet se ishte pikërisht pjesmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit.
Nga aty përfaqësues të Listës Serbe, i bënë të qartë ambasadorit se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, tashmë kur kanë mbetur edhe dy ditë afat kohor për regjistimin e tyre në KQZ. Sipas njoftimit që lëshuan LS, thuhet se ata refuzojnë të përfshihen në këtë proces pa u formuar Asociacioni e pa u larguar Njësitë Speciale nga Veriu.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe, qëndruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës,” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Lista Serbe.
Kujtojmë se Lista Serbe, vendosi t’i lëshoj institucionet e Kosovës në shenjë proteste për veprimet e Qeverisë Kurti, në raport me targat e automjeteve.