Lirohet Dejan Pantiq nga arresti shtëpiak, i jep 30 mijë euro dorëzani
Ish-polici i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, është liruar nga arresti shtëpiak.
Pantiq është liruar nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumë prej 30 mijë euro.
Lajmin e ka bëre të dituar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro”- ka deklaruar Gashi.
Sipas Gashit, lirimi i tij vije pas kërkesës së palës mbrojtëse për të zëvendësuar arrestin shtëpiak me masën e dorëzanisë.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 Euro”- ka thënë ajo.
Por, për çka akuzohet Pantiq?
Dejan Pantiq, ish polici i Kosovës, akuzohet për dy vepra shumë të rënda, të parapara me kodin penal të Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati shkruar në Facebook, dy nga akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarin Pantiq.
“Sulm kundër rendit kushtetues” është vepra e parë për të cilën ministri tha se akuzohet Pantiq.
Kjo vepër sipas Kodit Penal të Kosovës, në secilin rast është e dënueshme jo më pak se 5 vjet burgim.
