Liberalizimi i vizave duket se po ndodh: Pse s'kanë merita Kurti e Osmani sipas Kurtit e Osmanit? - NACIONALE

Liberalizimi i vizave duket se po ndodh: Pse s'kanë merita Kurti e Osmani sipas Kurtit e Osmanit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

13 tetori po pritet me ankth dhe shpresë të madhe në Kosovë. Edhe një herë, çështja është ajo e vjetra: liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Dhe, edhe një herë, pushtetarët e vendit (ani pse tashmë të rinj) po ngarendin për të marrë meritat. Por, pse pretendimet e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për merita janë qesharake.

Kosova përshkruhet shpesh si vendi më i izoluar në Evropë, për shkak të regjimit të vizave për qytetarët e saj. Zhvillimet në këtë proces janë parë gjithnjë me skepticizëm pas zhgënjimeve të shumta, por kësaj here duket se ka vend për shpresë të njëmendtë.

I ashtuquajturi “Trekëndëshi i Weimerit” i përbërë nga Gjermania, Polonia dhe Franca bëri thirrje ditë më parë me anë të një letre për heqje të vizave për Kosovën. Meqë në atë treshe bënte pjesë edhe Franca – vend skeptik – kjo e rriti shpresën përsëri se procesi i nisur më shumë se trembëdhjetë vjet më parë do të përmbyllej.

Megjithatë, për një sukses të tillë që po nëpërduket në horizont ka ngritur pretendimet kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Të dy, duke folur në mënyrë të mjegullt - pa treguar në lidhje me ndonjë hap konkret që kanë ndërmarrë - kanë thënë se janë/mund të jenë meritorë.

Sipas kryeministrit të Kosovës, në ‘heqjen e pengesave’ (ndonjëherë ka përdorur edhe togfjalëshin “heqje e dyshimeve” por pa treguar se për çfarë) për liberalizimin e vizave, përkundër që ishte thënë shumë herë madje edhe nga diplomatë evropianë se vendi ynë i kishte plotësuar kriteret.

Ja si shprehej Kurti për çështjen gjatë muajit të kaluar:

“Sa i përket integrimeve euroatlantike, pas një pauze të gjatë të vetizolimit, si mungesë e dijes por edhe e ndëshkimit për shkak të korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euroatlantike dhe ndërkombëtare.”

Presidentja Vjosa Osmani në anën tjetër theksonte që Kosova e re nën pushtetin e Albin Kurtit kishte arritur të bindte shtetet e Këshillit Evropian për liberalizim të vizave.

Në fund të muajit qershor, ajo kishte vizituar Brukselin për të marrë pjesë në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor nga ku ishin ngritur shpresa të mëdha se liberalizimi do të ndodhte. Megjithatë, kjo nuk kishte ndodhur. Për një gjë të tillë, Osmani do të shprehej si vijon:

“Ishte një deklaratë e presidentit të Serbisë. E ka ditur shumë mirë ai, që nuk është në agjendë, por ai qëllimisht e gjuajti atë balonë dhe për fat të keq pastaj këtu nga shumë njerëz u krijuan pritje, të cilat kemi tentuar vazhdimisht që t’i ulim poshtë. Çka kemi arritur të bëjmë, sepse shumë njerëz po thonë se edhe në të kaluarën ka pasur përkrahje. Është Komisioni Evropian ku ka pasur përkrahje, është Parlamenti Evropian ku ka pasur përkrahje, i vetmi nivel ku nuk është diskutuar më herët ka qenë Këshilli Evropian, aty ku vendosin shtetet anëtare veç e veç. Në të kaluarën këto shtete nuk kanë qenë të bindura,”

Pikërisht Këshilli Evropian që znj. Osmani pretendonte në muajin qershor se ishte bindur do të ketë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave më 13 tetor.

Është pikërisht Çekia e cila do të ketë presidencën e Këshillit Evropian deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje,” – thuhej në burimet diplomatike të medieve kosovare.

Raporti, përsëri

Për të shtuar arsyet e shpresës, pikërisht ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë pritet të vizitojë kryeqytetin tonë gjatë kësaj jave.

Por, përkundër që vendimi do të merret nga ana e shteteve anëtare të Këshillit Evropian, ministri çek ka thënë se po pritet pikërisht raporti i ri i Komisionit Evropian – dhe i cili kishte rekomanduar edhe në të kaluarën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga vendet anëtare gjatë vjeshtës,” - kishte thënë shefi i diplomacisë çeke, Jan Lipavsky.

Megjithatë, përkundër përpjekjes për të marrë meritat, kryeministri Kurti (ashtu si edhe presidentja Osmani) ka pasur deklarata të tjera publike në të cilat ka kritikuar Bashkimin Evropian, nënkuptueshëm duke e pranuar se kriteret teknike ishin përmbushur edhe nga qeverisjet e mëparshme.

“Kanë kaluar më shumë se tre vjet qëkur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ka qenë një padrejtësi e madhe... Ne jemi në Evropë, por BE duhet të bëhet Evropë... ne jemi kritikë, por pa u hidhëruar dhe pa pasur frikë, kështu që unë avokoj kundër frikës nga ana e BE-së,” thoshte kryeministri Kurti një vit më parë.

A mund të pretendohen meritat prej dikujt më 13 tetor? Natyrisht se po. Por, a do të kenë prova për të mbështetur këto pretendime? Natyrisht se jo.

Gjatë ditës së sotme, edhe deputeti i Bundestagut gjerman Thomas Hacker ka folur mbi çështjen duke u shprehur se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave shumë kohë më parë.

Lajme të ngjashme